Caroline Crouch, e lindur dhe e rritur në Greqi, por me shtetësi britanike, ka tronditur opinionin publik në shtetin fqinj. Nëna e re, u mbyt në sy të fëmijës 11 muajsh, nga hajdutët që hynë në banesën e saj të martën, duke lidhur të shoqin me litar, e duke vjedhur më shumëse 30 mijë euro kesh dhe stoli.
Një grup i organizuar kriminal, pjesë e të cilëve janë edhe shqiptarë, të paktën sipas mediave greke, dyshohet se qëndron pas vrasjes makabre. Grupi kriminal greko-shqiptar besohet ta ketë bazën në zonën perëndimore të kryeqytetit dhe është përgjegjës për një seri grabitjesh të dhunshme, ku viktimat kanë qene subjekt i rrahjeve, torturave dhe shpesh janë lidhur me litarë.
“Policia ka grumbulluar informacione të mjaftueshme dhe tani, një sërë efektivësh janë nëpër rrugë, në kërkim të autorëve. Shpresoj që të gjithë ata që kanë informacione të mos hezitojnë për t’i ndarë me ne”.
Policia ka ofruar 300 mijë euro shpërblim për ata që do të ofrojnë informacione mbi autorët e ngjarjes së ndodhur ne periferi të Athinës. Dyqanet dhe bizneset në ishullin grek të Alonissos, ku Caroline u rrit nga babai britanik dhe nëna filipinase, e ku do të ketë edhe banesën e fundit, do të mbyllen në homazh të 20-vjeçares.
Gjithçka tregon se banda zgjodhi rastësisht shtëpinë e Babis Anagnostopoulos dhe Caroline dhe pas ditësh mbikëqyrjeje, ata regjistruan jetën e përditshme të pronarëve dhe zakonet e tyre përpara se të kalonin në fazën përfundimtare dhe më të tmerrshme të planit të tyre.
Në fakt, nga momenti që ata vranë nënën 20-vjeçare, analistët vlerësojnë se nuk do ta kishin lënë të gjallë burrin e saj 32-vjeçar, pasi e kishin lidhur, siç përshkruan karakteristikisht policia e veprimit të menjëhershëm, i kishin lidhur sytë dhe gojën me izolues, dhe i kishte rënë të fikët për shkak të hipoksemisë, plaçkitësit besuan se ai gjithashtu kishte vdekur dhe kështu ata u larguan duke e lënë pa ndjenja dhe të lidhur.
Policia thotë se autorët mund të kenë përdorur drogë dhe në këtë mënyrë nuk kanë mundur të kontrollojnë reagimet e tyre.
Kryetari i Shoqatës së zyrtarëve policorë të Atikës Juglindore, George Kalliakmanis foli për krimin e urryer: “Është e mundur që nëna të ketë parë karakteristikat e autorëve të krimit, dhe kjo është arsyeja pse ata e vranë atë”. Ai më pas shtoi: “E konsideroj të pamundur që asnjë ADN e autorëve nuk është gjetur, ata ishin aty për 30 minuta, nuk është e mundur të ishin sterilizuar”.