Edhe pse janë regjistruar viktima, të plagosur dhe dëme të mëdha materiale nga të dy anët, pas luftimeve mes militantëve palestinezë dhe ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, ky mbetet një konflikt tepër asimetrik.
Izraeli është dukshëm “lojtari më i madh” në këtë rajon, me forcat e armatosura, dronet dhe shërbimin informativ tepër aktiv, mjete këto që e lejojnë të godasë armikun lirshëm. Izraeli pretendon se godet vendet ku fshihen terroristë, po fakti që përfaqësuesit e Hamasit dhe Xhihadit Islamik janë pranë qendrave të banuara, bën që shpesh, mes viktimave të ketë civilë të pafajshëm, edhe fëmijë.
Hamas dhe Xhihadi Islamik, edhe pse janë dukshëm palë më të dobëta në këtë konflikt, kanë armatime të mjaftueshme sa për të sulmuar Izraelin dhe për t’i shkaktuar viktima dhe dëme materiale. Ushtria izraelite, madje ka thënë se një “njësi elitë e Hamasit” është përpjekur të futet brenda territorit të Izraelit përmes një tuneli nëntokësor në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Arma më e fortë që palestinezët kanë në arsenalin e tyre është shumëllojshmëria e predhave tokë-tokë. Disa prej tyre, bashkë me sisteme të tjera, si predhat anti-tank Kornet, besohet se janë përdorur në ditët e fundit. Ato mendohet se janë futur në vend përmes tuneleve nga Gadishulli i Sinait.
Megjithatë, sasinë më të madhe të artilerisë së Hamasit dhe Xhihadit Islamik, e përbëjnë armët dhe predhat e prodhuara brenda Rripit të Gazës. Ekspertë të ndryshëm, izraelitë dhe të tjerë, besojnë se për ngritjen e kësaj industrie ka shërbyer ndihma e Iranit.
Hamas besohet se ka një inventar të zgjeruar predhash me rreze të shkurtër, si ato Qassam, që arrijnë deri në 10 kilometra, dhe Quds 101, që arrijnë deri në 16 kilometra. Dhe falë sistemeve Grad dhe Sejil, të dyja këto predha mund të godasin pikat kundërshtare në një distancë deri në 55 kilometra.
Hamas ka gjithashtu disa sisteme predhash me rreze të gjatë, si M-75 (deri në 75 km); Fajr (deri në 100 km); R-160 (deri në 120 km; dhe M-302, që arrijnë një rreze deri në 200 km. Me këto armatime, predhat mund të mbërrijnë deri në Jerusalem dhe Tel Aviv dhe gjithashtu në qytetet bregdetare, ku dendësia e popullsisë është më e lartë.
Por Ushtria e Izraelit thotë se nga mbi 1000 predha që janë lëshuar nga Gaza në ditët e fundit, 200 prej tyre kanë rënë brenda vetë territorit të Gazës, një tregues ky i kufizimeve që kanë palestinezët në teknologji dhe infrastrukturë ushtarake. Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) gjithashtu thotë se 90% e predhave janë kapur nga sistemi anti-raketë “Iron Dome”.
Një tjetër faktor që kufizon veprimet ushtarake të palestinezëve në Rripin e Gazës është se territori që kontrollojnë është i vogël dhe nuk kanë vend tjetër ku të shkojnë. Nëse Izraeli vendos të kryejë një sulm tokësor, nuk do të kishin asnjë mundësi të mbroheshin. Herën e fundit që kjo ndodhi, në vitin 2014, humbën jetën 2251 palestinezë, prej të cilëve 1462 civilë, si dhe 67 ushtarë izraelitë.
Çfarë është Hamasi?
Hamas është organizata më e madhe palestineze e përbërë nga militantë islamikë.
Emri i saj në arabisht është akronim i Lëvizjes së Rezistencës Islamike. Organizata lind në vitin 1987 pas nisjes së asaj që palestinezët e quajnë “Intifada” – ose kryengritja – e parë, kundër pushtimit të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës nga ana e Izraelit. Në statutin e vet, është e përkushtuar për shkatërrimin e Izraelit.
Fillimisht Hamas kishte dy qëllime kryesore: kryengritje e armatosur kundër Izraelit, drejtuar nga krahu ushtarak, ose Brigadat “Izzedine al-Qassam”, dhe sigurimi i programeve për mirëqenie sociale.
Por që prej vitit 2005, kur Izraeli tërhoqi trupat dhe kolonët nga Gaza, Hamas është përfshirë edhe në proceset politike të Palestinës. Në vitin 2006 fitoi zgjedhjet legjislative, ndërsa një vit më vonë përforcoi pozitat duke përzënë Lëvizjen Fatah të presidentit Mahmoud Abbas.
Që prej asaj kohe, militantët e Hamasit në Gaza kanë luftuar 3 herë kundër Izraelit. Ky i fundit, bashkë me Egjiptin, kanë ngritur një bllokadë për të izoluar organizatën dhe për të ndaluar sulmet e saj.
Hamasi është futur në listën e organizatave terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Mbretëria e Bashkuar dhe fuqi të tjera botërore.