Një prej mediave kosovare ka ofruar dy pamje të asaj se si zhvillohet vaksinimi në dy anët e kufirit, ku në njërën anë qeverisë Edi Rama e në anën tjetër Albin Kurti.
Referuar faktit se në kompleksin sportiv “1 Tetori” në Prishtinë është krijuar kaos prej të moshuarve që presin të vaksinohen, deri në përplasje me policinë, nga media e Prishtinës ofrohet ky krahasim vizual.
Të lodhur nga pritja e gjatë, qytetarët ankohen se mungon organizimi.
“Prej dy orësh jam duke pritur. Është total pa organizim, kjo është katastrofë, por nuk po kemi çfarë të bëjmë, duhet të presim”, thotë një qytetar.
“Tash një orë e gjysmë jam duke pritur për numër njëherë e për vaksinë, nuk e di sa duhet të presim. Asgjë nuk na thanë, vetëm na dhanë këta numra, jam 703. Nuk është mirë, është shumë pa organizim se është dashur ta bëjnë njëfarë radhe dhe kishte shkuar më lehtë”, ankohet një tjetër.
Për këtë problem ka reaguar edhe ish-ministra e Arsimit, Besa Shahini.
“Kur Kryeministri i Kosovës me ekip dhe makina zyrtare shkoi në Tiranë për të bërë opozitë, apo Presidentja e Kosovës shkoi për të pushuar në bregdet, do të kishin bërë mirë të kishin ndaluar shkurtimisht edhe në qendrat e vaksinimit.
Besoj se do të kishin mësuar diçka nga menaxhimi i procesit të vaksinimit dhe do të kishin kursyer qytetarët e moshuar të Kosovës nga trajtimi i padinjitetshëm dhe tmerrësisht i rrezikshëm për shëndetin e tyre, që pamë të mërkurën dhe sot te qendra e vaksinimit në Prishtinë. Fotoja këtu është nga qendra e vaksinimit në Durrës. Njësoj duken edhe qendrat e qyteteve të tjera, duke përfshirë Tiranën që ka më së shumti frekuentim”, shkruan Shahini.
Kosova ka marrë të mërkurën 38 mijë doza të vaksinës ‘AstraZeneca’ nga aleanca COVAX e OBSH-së. Ndërsa vaksina në formë donacioni për qytetarët e Kosovës janë dhuruar edhe nga Bashkimi Evropian.