Gazetari i BBC Arabic, Adnan Elbursh, ndërsa po raportonte nga Gaza mbi sulmet izraelite, nuk e dinte se çfarë e priste pas pak momentesh.
Adnan Elbursh ishte duke qëndruar në çatinë e një ndërtese në Gaza kur ndodhi një prej sulmeve izraelite dhe një raketë shkatërroi një ndërtesë 14-katëshe aty pranë.
Ndërkohë, Izraeli ndërmori të premten sulme të gjera ajrore dhe me artileri ndaj një rrjeti tunelesh nëntokësore që ndodhen në Gaza, të cilat strehojnë militantë palestineze. Përshkallëzimi i luftimeve vjen mes sulmeve të vazhdueshme me raketa ndaj qyteteve izraelite.
Zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit, nënkolonel Jonathan Conricus tha se ky është operacioni më i madh kundër një objektivi specifik që nga fillimi i konfliktit, gjatë të cilit u përdorën 160 avionë, tanke e artileri.
Kjo shënon ditën e pestë të përpjasjeve më të ashpra mes Izraelit dhe militantëve të Gazës që nga viti 2014.
Grupi militant i Hamasit i nisi sulmet me raketa ndaj Jeruzalemit dhe Tel Avivit si hakmarrje ndaj përplasjeve të policisë izraelite me palestinezët pranë xhamisë Al-Aksa në Jeruzalem.
Sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë të paktën 119 persona janë vrarë në Gaza, mes tyre 31 fëmijë dhe 19 gra, ndërsa 830 të tjerë janë plagosur.
Autoritetet izraelite thanë se numri i të vdekurve në Izrael vazhdon të mbetet në tetë, mes tyre një ushtar që patrullonte kufirin e Gazës, gjashtë civilë izraelitë, përfshirë dy fëmijë dhe një punëtor indian