Marrëdhëniet përtej ekranit të personazheve të njohur përbëjnë gjithnjë interes për publikun. Pedagogia Iris Luarasi, pyeti mbrëmjen e sotme drejtuesin e “Arnautistan” në MCN TV, Mustafa Nano për marrëdhënien e tij më djemtë.
Nano tregoi se ka një raport të mirë me ta, por me njërin prej tyre pak më të ftohtë për shkak se edhe jeton jashtë Shqipërisë.
“Raporti im me djemtë është i mirë, njëri është jashtë, tjetrin e kam këtu dhe e takoj pothuajse çdo ditë. Ata janë të rritur, kanë jetën e tyre, por me djalin që kam këtu kam një marrëdhënie shumë të ngushtë. Me djalin tjetër kam pasur një marrëdhënie më distante, më të ftohtë dhe ai jeton jashtë. Ishte një marrëdhënie e tillë, jam lodhur shpesh të gjej një shpjegim dhe ndonjëherë sekreti i situatave të tilla mund të jetë në subkoshiencën e djalit tim. Kur ai ishte 4 vjeç unë ika në emigrim dhe e lash vetëm dhe ai ndoshta në atë moshë ka bërë pyetjen ç’ishte ky veprim sepse ikëm bashkë me nën e tij. Mund ta ketë burimin atje them unë, por mund ta ketë burimin edhe tek natyra e tij, tek natyra ime, nuk e di. Pastaj fëmijët janë të ndryshëm, në momentin që ke një raport të fortë me njërin prej tyre, me tjetrin se s’bën do ta kesh të ftohtë. Nuk ka rrugë tjetër, mund të jetë dhe kjo. Fëmijët e mi kanë bërë një zgjedhje që janë të dy myslimanë dhe unë ka folur për këtë gjë por kohët e fundit gjithnjë e më pak. Është një zgjedhje që fillimisht më krijoi një lloj problemi sepse unë jam ateist dhe nuk i kuptoj shumë njerëzit që besojnë në Zot dhe djemtë e mi nuk i kuptoj shumë, por kam fuqinë e madhe për të kuptuar se kjo është punë e tyre dhe jo e imja, kaq është”, tha Nano.