Një ditë para se Partia Demokratike të mbledhë Këshillin e saj Kombëtar, grupi kundërshtar i kryetarit Lulzim Basha ka nisur një lloj fushate nga qyteti i Korçës.
Gjatë takimit me një grup demokratësh, Bujar Nishani ka artikuluar se Partia Demokratike duhet t’i nënshtrohet një reformimi. Ai u shpreh se Basha duhet të marrë përgjegjësinë politike dhe të japë dorëheqjen pas humbjes në zgjedhje. Kjo sipas tij është tregues simbolik i civilizimit, i përgjegjshmërisë dhe mbi të gjitha se interesi i partisë është mbi interesin personal.
“Kur kemi artikuluar marrjen e përgjegjësive që fillojnë në radhë të parë nga kryetari i partisë, zoti Basha, e kemi artikuluar në radhë të parë si përgjegjësi politike dhe përgjegjësia politike e dorëheqjes në radhë të parë është tregues simbolik i civilizimit. Është tregues edhe i përgjegjshmërisë. Mbi të gjitha dorëheqja e përgjegjësit kryesor është tregues që ti merr përsipër shërbimin e fundit publik ndaj interesit më madhor që është interesi partisë. Është treguesi i asaj që ti e konsideron interesin e partisë mbi interesin personal. Ky është një proces që nuk fillon dhe mbyllet me dorëheqjen e kryetarit të partisë. Është një proces dhe ajo që është më e rëndësishme për ne është reformimi i kësaj partie. Që themeluesit kësaj partie të jenë ashtu siç e meritojnë të jenë, vlera reale. PD ka lindur si parti e rinisë, si parti e intelektualëve. Sot gjenerata më aktive mbahet larg PD-së”, tha Nishani.