Timothy Heritage – Reuters
Mes Izraelit dhe grupit palestinez islamik Hamas është ndezur së fundmit konflikti më i ashpër ndër vite.
Më poshtë, kronologjia e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme në vite të tëra konfrontimesh.
1987 – Hamas vjen në jetë pas kryengritjes së parë të Palestinës kundër pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës. Dy vite më vonë, Hamas kryen sulmin e parë kundër ushtrisë izraelite, përfshi rrëmbimin dhe vrasjen e dy ushtarëve.
1993 – Pas vitesh me akte të shumta dhune, firmoset Akordi i Oslos, me qëllim vendosjen e paqes midis Izraelit dhe Palestinës. Hamas është kundër procesit të paqes dhe përpiqet që krijojë destabilitet duke vendosur bomba në autobusë dhe sulme të armatosura në Izrael.
2000 – Dështon marrëveshja përfundimtare në procesin e paqes midis Izraelit dhe Palestinës në një samit në Shtetet e Bashkuara. Dy muaj më pas, palestinezët protestojnë kundër vizitës së liderit të opozitës izraelite Ariel Sharon në ambientet e xhamisë El-Aksa në Jerusalemin Lindor – i njohur për hebrenjtë si Mali i Tempullit, sepse është vendndodhja e tempujve të tyre antik – çka sjell të ashtuquajturën kryengritje të dytë (Al-Aqsa Intifada).
2001-02 – Hamas kryen një sërë sulmesh kamikaze në Izrael, ku mbeten të vrarë 21 qytetarë jashtë një diskoteke në Tel Aviv në qershor të 2001, ndërsa në 2022 humbën jetën 30 hebrenj që po festonin festën fetare “Pesach”. Katër muaj më pas, komandanti ushtarak i Hamasit, Salah Shehadeh, vritet në një sulm ajror dhe Izraeli nis pushtimin e Ramallahut në Bregun Perëndimor.
Mars – Prill 2004 – Vritet bashkëthemeluesi dhe lideri shpirtëror i Hamas, Sheikh Ahmed Yassin, si dhe Abdel Aziz al-Rantissi, bashkëthemelues dhe lider politik, në Gazë në një hark kohor prej një muaji. Udhëheqja e Hamasit arratiset dhe identiteti i pasardhësit të Rantissit mbahet i fshehtë.
15 gusht 2005 – Forcat izraelite nisin tërheqjen e njëanshme nga Gaza, e pushtuar nga Egjipti në 1967 pas Luftës së Lindjes së Mesme, duke braktisur vendbanimet dhe duke e lënë territorin me një popullsi të madhe nën kontrollin e Autoritetit Palestinez.
25 janar 2006 – Hamas fiton shumicën në zgjedhjet parlamentare në Palestinë. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ndërpresin ndihmat palestinezëve sepse Hamas nuk pranon të ndalë dhunën e të njohë Izraelin.
25 qershor 2006 – Militantët e Hamasit kapin ushtarin izraelit Gilad Shalit gjatë një shkëmbimi të armatosur në kufi. Izraeli kundërpërgjigjet me sulme ajrore. Shalit lirohet pesë vite më vonë si pjesë e një operacioni ku u shkëmbyen pengje.
14 qershor 2007 – Hamas merr pushtetin në Gaza gjatë një lufte të shkurtër civile, duke përzënë forcat e Fatahut, besnikë të Presidentit Mahmoud Abbas, me qendër në Bregun Perëndimor.
27 dhjetor 2008 – Izraeli nis ofensivën ushtarake në Gaza pasi palestinezët sulmojnë me raketa Sderot, qytet në jug të Izraelit. Rreth 1.400 palestinezë dhe 13 izraelitë mbeten të vrarë përpara se të arrihej në armëpushim.
14 nëntor 2012 – Izraeli vret shefin e kabinetit të ushtrisë së Hamasit Ahmad Jabari, ngjarje që vijon me sulme nga të dyja palët për 8 ditë me radhë.
Korrik-gusht 2014 – Rrëmbimi dhe vrasja e tre adoleshentëve izraelitë nga Hamasi çon drejt një luftë 7-ditore ku vriten 2,100 palestinezë në Gaza dhe 73 izraelitë, 67 prej të cilëve ushtarakë.
Mars 2018 – Palestinezët protestojnë në kufirin e Gazës me Izraelin. Trupat izraelite hapin zjarr për t’i zmbrapsur. Mbi 170 palestinezë u vranë në disa muaj protesta, të cilat sollën dhe shkëmbime të shumta të dhunshme midis Hamasit dhe forcave izraelite.
7 maj 2021 – Pas javë të shumta tensionesh në muajin e Ramazanit, policia e Izraelit përplaset me protestuesit palestinezë pranë Xhamisë El-Aksa pasi 8 familje palestineze rrezikonin të humbnin shtëpitë e tyre në Jerusalemin lindor tek kolonët hebrenj pas një verdikti në gjykatë.
10 maj – Pas një javë dhune sporadike, qindra palestinezë mbeten të plagosur nga përplasjet me forcat e sigurisë izraelite pranë El-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë për myslimanët. Pasi kërkuan tërheqjen e forcave të sigurisë së Izraelit, Hamas lëshoi një breshëri raketash nga Gaza në Izrael. Izraeli iu kundërpërgjigj me sulme ajrore mbi Gaza.
11 maj – Vazhdon të shtohet numri i viktimave teksa vijojnë bombardimet. Një godinë 13-katëshe në Gaza rezidenciale shembet pas një sulm ajror nga Izraeli. Militantët palestinezë lëshojnë raketa në brendësi të Izraelit.
12 maj – Shtetet e Bashkuara njoftojnë nisjen e një të dërguari special për rajonin. Ushtria izraelite vret një prej komandantëve të Hamasit në Gaza.
13 maj – Vijojnë sulmet nga të dyja palët, dhuna përshkallëzon në lagje të Izraelit ku bashkëjetojnë hebrenjtë dhe arabët. Sulmohen sinagoga dhe raportohen përleshje të shumta në disa qytete.
14 maj – Izraeli përdor avion luftarak, tanke dhe artileri të rënda në një rrjet tunelesh që përdoren nga militantët palestinezë në Gaza, operacion që pasohet nga sulme të tjera me raketa nga palestinezët.