Si me pandemi se pa pandemi, Toka nuk do të ndalojë kurrë së lëvizuri. Dhe kjo nuk kishte si të vihej në dukje më qartë, se sa në Islandë, ku një vullkan sapo është zgjuar pas një gjumi letargjik prej 6,000 vitesh, shto ose hiq dy-tre vite.
Shkëlqimi i llavës se nxehtë që gurgullon teksa kërcen me vrull jashtë kraterit të vullkanit Fagradalsfjall, mund të shihet nga një distancë prej 32 kilometrash larg, në periferitë e kryeqytetit Reykjavik. Për çdo banor tjetër të botës, pamjet ‘live feed’ mund të gjenden kudo në web, më një kërkim të thjeshtë.
Por, ky është shpërthimi i parë në Gadishullin Reykjanes, nga çdo vullkan tjetër në këtë zonë, që prej 800 vitesh, dhe asgjë nuk mund të matet apo krahasohet me gëzimin e thellë që provon kur bëhesh dëshmitar nga afër, i fuqisë së egër dhe të paprekur të Planetit Tokë. Në vetvete fjala Fagradalsfjall në gjuhën Islandeze do të thotë “luginë e bukur malore.”
Miguel Angel Morenatti, një fotograf i bazuar në Seville, Spanjë deklaron për Associated Press, se e dashuron Islandën dhe sapo dëgjojë për shpërthimin më 19 Maj, u përgatit menjëherë për udhëtimin e tij për në ishullin e Atlantikut Verior.
“Për një fotograf peizazhesh, Islanda është një parajsë,” shprehet Morenatti.
Ngjitja deri në majë nuk është për të gjithë. Është një ngjitje e lodhshme që zgjat 2 deri në 3 orë, por për Morenatti-n ka qenë një eksperiencë të cilën 5 shqisat e tij nuk e kishin provuar kurrë më parë. Morenatti shpreson që fotot që ai ka shkrepur ta kenë kapur disi “mrekullinë e natyrës”.
“Kur e përfundon ngjitjen, tek sodit përreth i magjepsur, mediton mbi atë që po ndodh atje,” thotë ai. “Një imazh mbresëlënës, një tingull Dante-esk dhe era e gazit që të çanë hundën dhe të zbret deri në fyt.”
Ndërkohe që udhëtimet ndërkombëtare po shohin një hapje graduale, shumë e më shumë njerëz do të kenë mundësi të shijojnë të njëjtin udhëtim mbresëlënës drejt kësaj shfaqjeje vullkanore.