Politika Mbledhja e Këshillit Kombëtar, Nishani-Bashës: Trego burrni, jep dorëheqjen

Mbledhja e Këshillit Kombëtar, Nishani-Bashës: Trego burrni, jep dorëheqjen

Po mbahet, pa praninë e mediave, mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, pasi mbledhja e Kryesisë miratoi zgjedhjet për kryetarin e Partisë në 13 qershor.

Në fillim ishte kreu i PD-së Lulzim Basha që mori fjalën, duke evidentuar se “nuk ka sot vend tjetër në Shqipëri, nuk ka sot një bashkim të këtyre përmasave dhe cilësive, mendjesh dhe zemrash, që mund ta bëjë realitet aspiratën tonë dhe të gjithë shqiptarëve për ndryshim dhe demokraci, përveçse te Partia Demokratike”.

Ndërkohë, kreu i Këshillit Kombëtar ish-presidenti Bujar Nishani, pati fjalë të ashpra autokritike për rezultatin e 25 prillit, dhe i kërkoi dorëheqjen Lulzim Bashës, para zgjedhjeve të brendshme.

“Masakra elektorale që ka ndodhur është e vërtetë, por është vetëm gjysma e të vërtetës. Gjysma tjetër është dështimi i jonë, që humbëm. Sot na ftuat që të diskutonim vetëm mbi masakrën elektorale. Ne e dimë shumë mirë që ajo ka ndodhur por edhe ne kemi përgjegjësi.

Situata e bazës sonë është dramatike. U dëshpëruan kur dështuam me protestat, u dëshpëruan nga marrëveshja me Ramën, u dëshpëruan nga djegia e mandateve, ndërsa sot dëshpërimi është në përmasa të mëdha. PD ka ankimuar të gjithë shkeljet ligjore por kjo është vetëm të tregosh se çfarë ndodhi. Nuk e ndalëm dot. Ajo që duhet të bëjmë sot është gjykimi i fakteve politike. Historia ka treguar qe kur populli kërkon ndryshim, ai derdhet si dallgë në votim për ta kërkuar atë. Ne e premtuam atë, por dështuam të realizojmë atë”, deklaroi Nishani.

Më pas, ai i kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dorëheqjen e kryetarit të PD-së.

“Zoti Basha, jep dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i Partisë, përpara se të shpallësh zgjedhje për kryetar partie. A është kjo zgjidhja e vetme? Padyshim që jo. Por lideri është lider, sillet me burrni”.