Bota Sulmi ndaj godinës së mediave në Gaza, “Associated Press” kërkon hetim mbi...

Sulmi ndaj godinës së mediave në Gaza, “Associated Press” kërkon hetim mbi bombardimin izraelit

Shefja e agjencisë së lajmeve “Associated Press” bëri thirrje për një hetim të pavarur mbi bombardimin e zyrave të saj në Gaza nga aviacioni ushtarak izraelit.

Sally Buzbee deklaroi se organizata e saj nuk ka parë ende ndonjë provë nga zyrtarët izraelitë që të justifikojë sulmin, që rrafshoi kullën 12-katëshe Al Jalaa ditën e shtunë.

Nga ana e tyre zyrtarët izraelitë deklaruan se e kishin kryer sulmin pasi godina shërbente si një bazë e shërbimeve të inteligjencës së lëvizjes Hamas.

“Kemi dëgjuar Izraelin të thotë se kanë prova, por deri tani këto prova nuk i kemi parë dhe mendoj se është e udhës që në këtë pikë të nisë një hetim i pavarur mbi sa ndodhi”, deklaroi Sally Buzbee.

Izraeli insiston se Hamas fshihet prapa civilëve dhe zyrave të mediave, duke i përdorur ato si “mburoja njerëzore”, duke aluduar se lëvizja islamike qëllimisht vendos armë ushtarake në zemër të popullsisë civile në Rripin e Gazës.

Rreth një orë përpara sulmit, një telefonatë paralajmëruese ishte bërë në adresë të pronarit të bllokut të ndërtesave dhe gazetarët arritën të largoheshin në kohë, por të gjitha pajisjet e tyre u shkatërruan.

Përveç telefonatës, një raketë paralajmëruese ra në rrugën përballë kullës, duke iu bërë të qartë banorëve se bombardimi po afronte.

Dëshmitarë deklaruan se dronët izraelitë qëlluan dy raketa në kuotë të lartë dhe më pas avionët ushtarakë lëshuan 4 bomba, duke e rrafshuar ndërtesën. Nga sulmi nuk pati të lënduar.