Autoritetet shëndetësore në Singapor bënë me dije ditën e diel se variantet e reja të COVID-19, si ai indian, po prekin gjithnjë e më shumë fëmijë.
Ndërkohë që përgatiten për mbylljen e shumicës së shkollave nga kjo javë, Singapori po përgatitet gjithashtu të vaksinojë sa më shumë të rinj.
Të gjitha shkollat fillore, të mesme dhe kopshtet do të kalojnë në mësimin e plotë në shtëpi nga e mërkura deri në fund të vitit shkollor më 28 maj.
“Disa prej këtyre mutacioneve (të virusit) janë shumë më virulente dhe duket se sulmojnë fëmijët më të vegjël”, tha Ministri i Arsimit Chan Chun Sing.
“Askush nga fëmijët që është infektuar nuk është i sëmurë rëndë”, shtoi ai.
Ministri i Arsimit pohoi se rritja e shpejtë e numrit të rasteve të komunitetit kërkon që të ulen ndjeshëm lëvizjet dhe ndërveprimet në ditët në vijim.
Shpejtësia e programit të vaksinimit në Singapor është duke u kufizuar nga ritmi i furnizimit me vaksina. Ekspertët po studiojnë nëse duhet të japin një dozë të vaksinës dhe të zgjasin intervalin midis injektimeve.
Mbi një e pesta e popullsisë së vendit ka përfunduar vaksinimin me dy doza të vaksinave nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna. Autoritetet do të ftojnë njerëzit nën 45 vjeç të nisin dozat e injektimeve nga gjysma e dytë e majit.