Kryetari Lulzim Basha vijoi turin e tij pas zgjedhjeve të 25 prillit në qytetin e Shkodrës, ku u shpreh edhe njëherë tjetër se në këto zgjedhje është bërë vjedhja më e madhe në historinë e pluralizmit.
Basha u shpreh se beteja e PD-së nuk do të ndalet deri në fitore.
“Sot nga Shkodra e krenarisë kombëtare më vjen keq të pohoj se jemi në një nga skenat e krimit të 25 prillit. Këtu hileja e regjimit Rama-Doshi fshehu koncesionin e Partisë Socialiste si kamuflazh nën siglën e PSD-së. Por sikurse e dinë shkodranët dhe e gjithë Shqipëria, nuk ka PSD. Ka një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që jua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare.
E kështu pra, fatkeqësisht, Shkodra e njerëzve me shpirt fisnik nuk përmendet për gjigantët e kulturës që e ndritën imazhin e kombit, por përmendet për Tom Doshin që është bërë i famshëm përtej Atlantikut për aferat e tij kriminale dhe korruptive si një nga kokat e gjarprit që ka shtrënguar dhe po asfikson Shqipërinë në morsën e krimit dhe të korrupsionit.
Si asnjë herë tjetër, shteti u përvesh me të gjitha mjetet në aleancë me krimin kundër opozitës, kundër Partisë Demokratike për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve.
Të gjithë jemi dëshmitar se si i derdhën lumë paratë e korrupsionit dhe i përdoren banditët për të shantazhuar, intimiduar dhe blerë votuesit. Në mënyrën më të paimagjinueshme që nga kohërat më të egra të diktaturës.
Dhe në fakt e pamendueshmja ndodhi këtu në Shkodër, ku për herë të parë në 30 vite Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyllë mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të thoshte: këtu po blen vota Tom Doshi. Por, e them me krenari që nuk ia dolën të trysnojnë demokratët e Shkodrës dhe qytetarët shkodranë. Nuk ia dolën sepse ju dhe i gjithë ekipi juaj, i demokratëve dhe i mbështetësve tanë, dolët në këtë betejë me zemër dhe jo me frikë, dolët në këtë betejë me njerëz të ndershëm në krah dhe jo me banditë, dolët në këtë betejë me program, me vizion dhe jo me ankthin e atyre që luftonin për të mbajtur dhe ruajtur plaçkën e vjedhur këto 8 vite shkodranëve dhe shqiptarëve”, u shpreh Basha.