Barcelona do ta mbyllë këtë sezon në mënyrë zhgënjyese. Pavarësisht triumfit në Kupën e Mbretit, skuadra blaugrana u eliminua në 1/8-at e Championsit dhe papritur doli nga gara për titullin në La Liga edhe matematikisht një javë para fundit të sezonit, edhe pse kishte gjithçka në dorë dhe mund të ngjitej në krye nëse do të triumfonte në sfidën direkte ndaj Atletico Madrid në Camp Nou.
Për momentin presidenti Joan Laporta po pret vetëm fundin e sezonit për të marrë vendime të rëndësishme. Krerët më të lartë të klubit përfshirë edhe trajnerin Koeman do të mblidhen për të diskutuar rinovimin e kontratës së kapitenit Lionel Messi por edhe të tjera çështje të rëndësishme siç është merkato e verës.
“Në fund të sezonit do vlerësojmë gjithçka në varësi të shfaqjeve dhe rezultateve. Fituam Kupën dhe jemi krenarë për këtë, por u eliminuam shpejt nga Champions dhe La Liga iku në mënyrë të pakuptueshme. Do të shihni që do marrim disa vendime, duke filluar nga java e ardhshme. Do flasim atëherë. Do punojmë shumë për të pasur një ekip të fortë për Champions League dhe brenda vendit. Është fundi i një cikli dhe kjo është diçka e nevojshme për klubin”, theksoi Laporta.
Sergio Aguero dhe Eric Garcia nga Manchester City pritet të jenë përforcimet e para në merkato për Barçën, lojtarë me të cilët është arritur akordi dhe do të vinë me parametër zero.