Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Skelës pranë Pallatit të Sportit në pjesën e pasme të një servisi.
Viktima është Delion Troqe, i cili u qëllua me breshëri kallashnikovi. Troqe mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua me urgjencë drejt spitalit të qytetit. Por fatkeqësisht ndërroi jetë sapo mbërriti aty.
Sipas burimeve policore, thuhet se ndaj viktimës u qëllua me të paktën 15 plumba kallashnikovi.
Forca të shumta policore kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë rrethimin e zonës. Kanë qenë banorët të cilët njoftuan uniformat blu pasi dëgjuan breshërinë e armëve.
Autori/ët janë arratisur dhe dyshohet të jenë larguar drejt Kaninës. Një automjet është gjetur i djegur në fshatin Sherishtë dhe dyshohet se u përket vrasësve.
Policia ka ngritur postblloqe të shumta dhe pika kontrolli për të bërë të mundur ndalimin e autorit/ëve. Po kështu, autoritetet kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve në zonë.