Ish-Kryeministri Sali Berisha, në një intervistë për Tv Klan, thotë se deklarata e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, provoi bindjen e tij se pas vendimit për shpalljen “non grata” nga ana e Sekretarit Amerikan të Shtetin Antony Blinken qëndron Kryeministri Rama dhe multimiliarderi Xhorxh Soros.
“Dhe çfarë doli, burimet ishin OJF-të lokale e rajonale, të gjitha të Sorosit kundër Berishës. Ishin mediat e sponzoriazuara ndaj Soros dhe ishte Rama direkt me hetimi qeveritar anti-korrupsion”.
Por a ka DASH burime apo informacione më të klasifikuara, që mund të dalin më pas në dritë?
“E ftoj Sekretarin Blinken të publikojë çdo gjë pa asnjë lloj hezitimi.”
Berisha sqaron edhe qëndrimin e ekspertit amerikan të së drejtës ndërkombëtare Paul Williams, i cili tha se Sekretari i Shtetit gëzon imunitet për veprimet zyrtare dhe se në Shtetet e Bashkuara, gjykatat nuk ndërhyjnë në politikën e jashtme.
“Pa asnjë diskutim që ka imunitet për shkak të funksioneve, por ka një ligj universal për imunitar. Shpifja përjashtohet në të gjithë botën nga imuniteti. Shpifja paditet kudo që ajo shfaqet”.
Intervista e plotë
Cili është komenti juaj në lidhje me deklaratën e një zëdhënësi të bërë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për mediat shqiptare, ku rreshtohen disa nga burimet e informacionit që DASH ka marrë parasysh për vendimmarrjen ndaj jush dhe shpalljen si person “non grata” në SHBA?
Sali Berisha: Ky është një skenar politik i montuar me lobim nga Edi Rama dhe George Soros. Dhe për këtë unë kisha bindjen absolute. Fatmirësisht, deklarata e zëdhënësit të DASH dje ndriçoi një hap të rëndësishëm, ndriçimin e burimeve nga janë marrë të dhënat. Dhe çfarë doli? Burimet ishin NGO lokale, rajonale, ndërkombëtare të gjitha të Sorosit, të gjitha paratë e Sorosit kundër Sali Berishës. Ishin mediat e sponsorizuara nga Soros dhe ishin Edi Rama direkt hetimi qeveritar antikorrupsion. Në këtë deklaratë, Edi Rama del qartësisht si person direkt i përfshirë por pa asnjë diskutim në të gjitha ato që thuhet deklarata nënkuptohet George Soros, multimiliarderi për të cilin unë kam shprehur gjithë mendimet e mia si në Parlamentin shqiptar, si në mediat sociale ashtu dhe në takime ndërkombëtare. Nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë. Në ditët në vazhdim unë do informoj shqiptarët se cilat kanë qenë përpjekjet në vite kundër Sali Berishës të George Sorosit.
A mendoni se ka DASH, përtej këtyre informacioneve që ju thatë se janë marrë nga NGO, edhe informacione më të klasifikuara që çuan në vendimmarrjen e këtij vendimi ekstrem ndaj jush dhe ndaj familjes suaj? Dhe a mund të bëhen këto publike në ditët në vijim?
Sali Berisha: Në qoftë se kanë informacione të tjera përsa i përket privatësisë së Sali Berishës, e ftoj Sekretarin Blinken të publikojë çdo gjë pa asnjë lloj hezitimi. Ndërkohë unë kam kontraktuar avokatin dhe kam autorizuar atë për ngritjen e një padie në Gjykatën Korreksionale të Parisit për shpifje. Padia ime nuk atakon vendimin e Sekretarit Blinken për vizën për moshyrjen, jo! Ajo është e drejtë ekskluzive e tij dhe nuk është e drejtë e Sali Berishës viza amerikane. Unë kam paditur dhe qëndroj fuqishëm për shpifjen e cila ka lënduar thellë dinjitetin tim njerëzor.
Çfarë po ndodh aktualisht me padinë tuaj për shpifje ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Blinken, dhe në çfarë faze është ajo z.Berisha?
Sali Berisha: Avokati që po merret me të, po e përgatit për ta dorëzuar në gjykatë. Ka marrë kontakte apo jo, nuk e di.
Doja të dija nëse Gjykata e Parisit ku ju keni bërë këtë padi për shpifje ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, a e ka në juridiksionin e saj marrjen në shqyrtim të padisë dhe ngritjen e çështjes?
Sali Berisha: Gjykata ku unë kam bërë padinë, nëse e merr apo jo, këtë e vendos gjykatësi. Por avokati im gjykon se ekziston e gjithë baza e domosdoshme për ta marrë në shqyrtim. Është e vërtetë që thoshte dhe dje në Zërin e Amerikës Profesor Paul Williams që Sekretari i Shtetit ka imunitet. Pa asnjë padiskutim që ka imunitet në ushtrimin e funksioneve. Por ka një ligj universal për imunitarët. Kanë imunitet për çdo gjë në ushtrimin e funksioneve përveç shpifjes. Shpifja përjashtohet në të gjithë botën demokratike nga imuniteti. Dhe shpifja paditet kudo që ajo shfaqet. Në këtë kontekst, në vlerësimin e avokatit gjykata ka autoritetet të plotë për të bërë interpretimin e imunitetit të z.Blinken. Cilidoqoftë vendimi i gjykatës, unë do të dëshiroja që një vendim pozitiv dhe siguroj që do të jem i hapur për çdo lloj hetimi, por nga ana tjetër, cilido do të jetë vendimi i gjykatës unë absolutisht do të vazhdoj me të gjithë forcën time në rrugë juridike dhe jo politike. Unë jam përballë një sulmi dhe skenari politik. Unë mund t’i përgjigjesha në mënyrë politike edhe kam jo pak miq të cilët do mund të ndihmonin, por kam vendosur të ndjek gjithçka strikt në rrugën juridike për rivendosjen e dinjitetit tim.