“Zgjidhja me dy shtete është e vetmja përgjigje për konfliktin izraelito-palestinez”, theksoi presidenti amerikan, Joe Biden, duke hedhur poshtë çdo ndryshim në angazhimin e tij për sigurinë e Izraelit.
Si përgjigje ndaj një pyetjeje në lidhje me atë nëse ka ndryshime lidhur me Izraelin, Biden theksoi se nuk ka asnjë ndryshim në këtë drejtim.
“Nuk ka asnjë ndryshim në angazhimin tim për sigurinë e Izraelit. Asnjë ndryshim, aspak. Por unë do t’ju tregoj se ku ka ndryshim. Ndryshimi është se ne ende kemi nevojë për një zgjidhje me dy shtete. Është përgjigjja e vetme”, theksoi Biden në një konferencë shtypi me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in.
Biden theksoi se kishte folur me presidentin palestinez Mahmoud Abbas dhe i ka treguar atij planet e tij për Autoritetin palestinez, që përfshin garantimin e sigurisë në Bregun Perëndimor.
“Dhe së fundmi ne rikonfirmuam angazhimin e sigurisë, si dhe një angazhim ekonomik për njerëzit në Bregun Perëndimor”, shtoi Biden.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se ai do të krijonte një ndihmë të madhe së bashku me kombet e tjera për të rindërtuar Gazën, pjesërisht e shkatërruar nga bombardimet izraelite që ndaluan me një armëpushim të enjten të ndërmjetësuar nga Egjipti.