Lëvizja Socialiste për Integrim ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Ankesave për të rrëzuar pretendimet e saj për shpalljen e pavlefshme të rezultatit të zgjedhjeve për Qarkun Gjirokastër dhe Vlorë.
Kërkesa për pavlefshmëri në Gjirokastër ishte bërë nga LSI, PD dhe kandidati i pavarur, Kreshnik Merxhani. Ankimin në Kolegj e ka paralajmëruar edhe Partia Demokratike.
Në ditën e shpalljes së vendimit, më 19 maj, përfaqësuesi i LSI-së, Altin Kaziaj, paralajmëroi ankimim edhe në një shkallë tjetër, në Gjykatën Kushtetuese. “Është vendimmarrje e programuar. Është marrë një vendimmarrje duke mos vendosur një standard lidhur me paligjshmërinë për këtë qark. Nuk e kuptojmë vendimin të marrë nën urdhra politikë. Shpresoj që kjo trupë të sjellë ligjshmëri për vendimmarrjen e vet”, tha ai.