Politika Shehaj: Nëse fitoj nuk bashkëqeveris me Ramën. Basha nuk e çon PD...

Shehaj: Nëse fitoj nuk bashkëqeveris me Ramën. Basha nuk e çon PD në fitore

Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, deklaroi këtë të hënë në një konferencë për mediat se nëse do të zgjidhet në krye të selisë blu nuk do të ketë bashkëqeverisje me kryeministrin Edi Rama.

“Nëse unë do të zgjidhem kryetar i PD nuk do ketë bashkëqeverisje në asnjë mënyrë”, tha Shehaj.

Deputeti i zgjedhur në radhën e demokratëve tha se përballë Edi Ramës duhet një njeri i pakorruptuar, por edhe që njerëzit ta dinë se është i tillë. Një nga çështjet që u pyet Shehaj ishte edhe ai i vendimit të sekretarit Antony Blinken që e shpalli Berishën “non grata” në SHBA. Kandidati për kryetar i PD-së tha se Berisha ka rol historik në drejtimin e vendit drejt BE-së ndërsa nuk preferoi që të komentonte vendimin.

Por përse është futur në zgjedhje Agron Shehaj? Fillimisht thotë se nuk ka arsye personale ndaj Bashës. Megjithatë është i bindur që kryetari aktual nuk e çon dot selinë blu në fitore.

“Nuk ka asnjë arsye personale që më ka shtyre të kandidoj. Jam bindur pas humbjes që Lulzim Basha fatkeqësisht nuk e çon dot PD-në në fitore. Jam bindur. Nuk ka arsye personale të lidhjes sime me kryetarin e PD-së. Shumë prej jush mund të kërkojnë arsye të ndryshme prej kësaj, por nuk ka. Nëse PD duhet të fitojë zgjedhjet dhe pastaj të fitojmë zgjedhje duhet të ndryshojmë lidershipin. Kjo është e vetmja mënyrë”, tha ai.

Shehaj ndan të njëjtin mendim me kandidatët e tjerë për kryetar dhe thotë se gara nuk zhvillohet në kushte të barabarta. Sipas tij, PD-ja duhet të jetë e hapur dhe t’i nënshtrohet një reformimi. Të njëjtin mendim, theksoi Shehaj, e kanë edhe shumë persona të tjerë në selinë blu. Ai tha se Ka qenë kundër djegies së mandateve dhe mosfutjes në zgjedhjet lokale të 2019-ës.