Një sezon shumë i vështirë ishte ky që sapo lamë pas për Juventusit. Skuadra nga Torino, e mbylli Seria A në vendin e katërt, por arriti që të fitonte Kupën e Italisë, një trofe që nuk është shumë i lakmuar.
Tashmë që sezoni është mbyllur kanë nisur projektet për vitin e ardhshëm. Mediat në vend raportojnë se drejtuesit ende nuk e kanë të qartë nëse do të vijojnë të punojnë me Andrea Pirlon apo marrëdhënia me italianin do të mbyllet këtu.
Kjo pyetje ende nuk ka përgjigje dhe e ardhmja e stolit është ende në proces. Drejtuesit e klubit kanë deklaruar se tashmë është koha për të bërë një analizë të sezonit që u mbyll dhe më pas do të merret vendimi.
Juventusi për sezonin e ardhshëm kërkon një skuadër konkurruese, e denjë për të fituar dhe kampionatin. Po ashtu drejtuesit kërkojnë dhe ecuri të mirë në Champions League.
Ndaj dhe e ardhmja e Pirlo nuk është ende e qartë, pasi pritet të bëhet një analizë dhe të merret vendimi për fatin e trajnerit.