Bashkimi Europian vendos bllokimin e hapësirës së përbashkët ajrore për avionët e shoqërive bjelloruse, si ndëshkimin e parë, pasi autoritetet e Minskut detyruan në mënyrë të jashtëligjshme të ulej një avion i Ryanair të linjës Athinë – Vilnius për të arrestuar një gazetar opozitar ndaj regjimit të Lukashenkos.
Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit Europian, ku liderët e vendeve të unionit ranë dakord gjithashtu që të gjitha shoqëritë ajrore europiane të shmangin uljet në aeroportet bjelloruse, e po ashtu kalimin përmes hapësirës ajrore të këtij vendi.
Udhëheqësit europianë kërkuan lirimin e menjëhershëm të gazetarit 26-vjeçar Roman Protaseviç, i cili mbahet në paraburgim në Misk me akuzën e shpifjes ndaj qeverisë së vendit në portalin e tij Nexta. Ata paralajmëruan ashpërsimin e sanksioneve, duke shtuar së shpejti edhe masa të ashpra ndëshkuese ekonomike. Arrestimin e Protaseviçit e dënoi edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili e quajti atë një sulm të turpshëm kundër lirisë së fjalës.
Gazetari u shfaq në një video të publikuar nga autoritetet bjelloruse, për të cilën mediat ndërkombëtare komentojnë se ai gjendet nën presion psikologjik.