Luis Suárezit nuk i del inati me drejtuesit e Barcelonës, që verën e kaluar e “dëbuan” nga “blaugranat” me pretekstin se koha e tij kishte përfunduar. Vendimtar me golat e tij në suksesin e Atleticos së Madridit në LaLiga, sulmuesi uruguaian sulmoi, përveç ish-presidentit Bartomeu, edhe trajnerin holandez, Ronald Koeman, i cili i komunikoi se nuk e kishte në planet e tij me urdhër të klubit.
“Koeman, pasi më tha që nuk më llogariste, m’u shpreh se “nëse kjo punë nuk zgjidhet, do të mbështetem te ti”. Kuptova që ai nuk kishte personalitet. Kam vuajtur kur Barça më dërgoi të stërvitesha veçmas”.
I pyetur për vazhdimësinë e Messit në klubin e Barçës, “El Pistolero” theksoi: “Messi nuk më ka thënë asgjë, por unë do t’i rekomandoja që ai të vazhdonte”.
Në lidhje me nënshkrimin e mundshëm të Agüeros me Barcelonën, Suarez komentoi se e shihte pozitivisht afrimin e argjentinasit. Më tej kujtoi se Luis Enrique është trajneri më i mirë me të cilin ka punuar, pasi t’i thoshte gjërat në sy.
Suarez e bëri të qartë se të fitosh LaLigan me Atlético të jep më shumë kënaqësi se kur këtë sukses e arrin me Barçën, pasi kontributi i tij ka marrë më shumë vlerë.
Në fund, 34-vjeçari konfirmoi se do të qëndrojë tek Atletico e Madridit e sezonin e ardhshëm. “Simeone? Kur ai flet, të bind për gjithçka. Të thotë “eja këtu dhe se do të kesh këtë dhe atë”, të bën të ndihesh më i miri në botë. Ai më bindi dhe nuk pendohem.”