Rusia ka vendosur përfundimisht të jetë një faktor i përhershëm në Mesdhe, jo vetëm politikisht, por tashmë edhe gjeografikisht. Prej vitesh, veçanërisht pas vitit 2015, ekziston një prani e saj ushtarake në Siri, që ka rezultuar vendimtare në mbajtjen e pushtetit të presidentit Bashar Assad.
Por tani, me një vendim të paprecedentë nga Lufta e Dytë Botërore, Moska ka vendosur të japë një sinjal të fortë duke transferuar bombardues me kapacitet bërthamor jashtë kufijve rusë.
Tre bombardues bërthamor Tupolev Tu-22M3, me kapacitet deri në 5 mijë kilometra kanë mbërritur në bazën ruse të Hemeimeem, në provincën e Latakiës. Sipas vetë Ministrisë së Mbrojtjes ruse, mjetet do të kenë si synim “një seri misionesh trajnuese në Mesdhe”. Por qëndrimi i tyre në Siri nuk duket aspak i përkohshëm.
Baza ruse në Siri në fakt po modernizohet vrullshëm, me pistat dhe infrastrukturën që po zmadhohen për të pranuar mjetet gjigante dhe të kushtueshme.