Mediat greke kanë publikuar detaje nga dosja hetimore e autoriteteve për bandën e shqiptarëve që vidhte qytetarët në stacionet e metrosë, të autobusit dhe në aeroport në Athinë.
Drejtuese e grupit ishte një 35-vjeçare shqiptare e quajtur Romina ose Tonia dhe një 32-vjeçar shqiptar i quajtur Albert.
Banda e përbërë nga 31 persona, nga këta 27 ishin shqiptarë, futej në turmat e njerëzve që prisnin në stacionet e metrosë në kryeqytetin grek dhe u vidhnin portofolet apo sende të tjera me vlerë. Mediat kanë publikuar pamje të kamerave të sigurisë, ku duken anëtarë të bandës që sillen sikur nuk njihen me njëri-tjetrin dhe përzihen me turmën.
Drejtuesja e bandës, Romina shfaqet shumë aktive e cila ndërhyn disa herë për të marrë portofolin e vjedhur nga një tjetër anëtar dhe pastaj largohet. Në dosjen hetimore të Greqisë thuhet se kjo bandë funksiononte prej 10 vitesh dhe besohet se ka kryer mbi 4 mijë vjedhje, ndërsa janë dokumentuar vetëm 700 të tilla. Të gjithë anëtarët e kanë filluar “karrierën” e vjedhjeve që në moshën 18-vjeçare. Disa prej tyre janë arrestuar edhe në të kaluarën për vjedhje.
Më 12 korrik, një nga drejtuesit e bandës kriminale është përgjuar duke folur në telefon me një avokate, të cilës i kërkonte mendim pasi kërkonte të blente një pronë me vlerë 50 mijë Euro. Personi në fjalë nuk justifikonte dot burimin e të ardhurave pasi ishin para të përfituara nga vjedhjet. Gjithashtu, disa prej objekteve të vjedhura, kryesisht celularë dhe kompjuterë dërgoheshin dhe shiteshin në Shqipëri kundrejt një tarife të caktuar.
Disa prej anëtarëve të bandës, identiteti i të cilëve është bërë publik, janë:
-Enkeljon alias Enea Velaj nga Fieri
-Elton Selimi
-Armand Manaj nga Fieri
-Fatmira C.
-Ermal Malasi 39 vjeç nga Tepelena
-Elton Malasi 33 vjeç nga Tepelena
-Oklend Berberi nga Delvina
Banda “punonte” dy herë në ditë; nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 09:30 kur ishte piku i lëvizjes dhe nga ora 17:00 deri në orën 21:00 kur njerëzit ktheheshin nga punët dhe dilnin në pasdite. Kryesisht stacionet e metrosë ishin pikat ku ata fokusoheshin më shumë, ndërsa shënjestrat e preferuara të tyre ishin turistët.
Në dosjen e hetuesve është edhe një polic grek 49-vjeçar, i cili akuzohet për pjesëmarrje në këtë organizatë. Dy javët e fundit para se të goditej kjo bandë e përbërë nga shumica shqiptarë, polici grek kishte marrë 3 mijë Euro për t’u dhënë informacione grabitësve. /tvklan.al