Kryesore Komisioni Hetimor miraton raportin për shkarkimin e presidentit Ilir Meta

Komisioni Hetimor miraton raportin për shkarkimin e presidentit Ilir Meta

Komisioni Hetimor Parlamentar ka miratuar raportin përfundimtar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, pasi sipas tyre kreu i shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën.

Kryetari i këtij komisioni, Alket Hyseni në raportin përfundimtar është shprehur se kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën në mënyrë të përsëritur.

“Presidenti me aktet dhe qëndrimet e tij ka shkelur disa nene të Kushtetutës, të gjitha shkeljet konsiderohen nga komisioni si shkelje të rënda të Kushtetutës. Aktet, sjelljet dhe qëndrimi i presidentit bien në kundërshtim me rolin e tij”, shprehet Hyseni.

Sipas Hysenit, miratimi i raportit përfundimtar për shkarkimin e Metës nuk duhet cilësuar si hap krenarie, por si një ditë e mirë për sistemin e demokracisë në Shqipëri.

Ai shtoi se akti i sotëm duhet parë si triumf i Kushtetutës ndaj zyrtarëve të çdo rangu, ndaj të cilëve ka dyshime se kanë abuzuar me ligjin apo detyrën.

“Kjo nuk është ditë krenarie për shtetin shqiptar, por është një ditë e mirë për shtetin e së drejtës, sepse ne kemi ndjekur një proces që është proces i shëndoshjes së demokracisë. Ky është një triumf i kushtetutës ndaj zyrtarëve të çdo rangu, për të cilët ka dyshime se mund të kenë abuzuar me ligjin dhe detyrën”, tha Hyseni.

Pas këtij hapi, do të përcaktohet një datë për mbledhjen e Parlamentit, ku deputetët do të diskutojnë dhe më pas do votojnë për shkarkimin e Metës.

Shkarkimi nga detyra i Presidentit të Republikës duhet të marrë 94 vota pro. Më pas kjo çështje i kalon Gjykatës Kushtetuese, e cila është organi më i lartë, që jep vendimin final për shkarkimin ose jo të kreut të shtetit.

Gjatë kohës që po mbahej mbledhja e Komisionit Hetimor, pjesëmarrja në të cilën është refuzuar nga presidenti, nuk kanë munguar komentet nga zëdhënësi i tij, Tedi Blushi.

Ai shkroi në faqen zyrtare “Facebook” se presidenti Meta nuk është i shqetësuar në lidhje me këtë proces, ndërsa shtoi se mandati i kreut të shtetit përfundon më 24 korrik të vitit 2022.