Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan përuroi të premten xhaminë më të re në Stamboll, të vendosur në Sheshim Taksim. Planet për ndërtimin e kësaj xhamie nxitën edhe protestat e vitit 2013 në vend.
Mijëra vetë morën pjesë në ceremoninë e përurimit, një pjesë e mirë e të cilëve u falën në sheshin para xhamisë, pasi nuk kishte vend brenda.
Xhamia ndodhet pranë një sheshi publik që është parë gjerësisht si simbol i shekullarizimit të Republikës. Por xhamia mbizotëron sheshin ku ndodhet gjithashtu një monument për Republikën dhe themeluesin e saj, Mustafa Kemal Ataturk.
“Xhamia Taksim tani zë një vend dominues mes simboleve të Stambollit”, tha Erdogan në fjalën e tij. “Dashtë Zoti do të qëndrojë aty deri në fundin e ditëve”.
Ai shtoi gjithashtu se ndërtimi i xhamisë ishte simbol i fitores kundër protestuesve që kundërshtonin praninë e objekteve të kultit në shesh.
Erdogan ka folur për ndërtimin e kësaj xhamie që në fillim të viteve 1990, kur ishte kryebashkiak i Stambollit. Xhamia e re ka një kapacitet prej 4000 personash.