Sport “Eksperimenti i dështuar i profesorit”, mediat angleze nuk kanë mëshirë për Guardiolën

“Eksperimenti i dështuar i profesorit”, mediat angleze nuk kanë mëshirë për Guardiolën

Chelsea fitoi për herë të dytë në histori trofeun e Champions League, duke lënë Manchester City-n duarbosh.

Ky triumf i skuadrës së drejtuar nga Thomas Tuchel ka bërë që të vërshojnë kritikat ndaj Pep Guardiolës, me mediat angleze që u treguan të pamëshirshme me trajnerin spanjoll, i cili dështoi sërish në kompeticionin më të rëndësishëm evropian.

Mirror: Guardiola habiti me formacionin titullar të finales dhe eksperimenti i tij i çuditshëm pati një fund të tmerrshëm. Fernandinho dhe Rodri qëndruan në stol, me City-n që e nisi ndeshjen pa mesfushor qendre. Një gabim i madh në gjykim nga ana e trajnerit, i cili e nxori De Bruyne nga pozicioni i tij i zakonshëm. Trajneri ka fajin kryesor për dështimin.

Daily Mail: Thomas Tuchel ishte mjeshtri i finales. Guardiola u tregua i pakujdesshëm, duke nisur ndeshjen pa Fernandinho ose Rodri. Kur luan kundër një ekipi si Chelsea, i ndërtuar për të kundërsulmuar me shpejtësi, formacioni fillestar i City-t u duk shumë qesharak.

BBC: Thomas Tuchel fitoi sfidën me Pep Guardiolën për herë të tretë që kur zëvendësoi Frank Lampard në stolin e Chelsea, në muajin janar. Guardiola nuk mund t’i fshihet përgjegjësisë, pas taktikës së dështuar në finalen e Champions. Habiti duke lënë në stol edhe Rodrin, edhe Fernandinhon. City u paraqit konfuz, joefikas dhe rrallëherë i shkaktoi probleme kundërshtarit.

The Sun: Pep Guardiola kaloi kufirin mes gjenialitetit dhe çmendurisë, duke vendosur që në finalen e Champions League të bënte eksperimentet e “profesorit të çmendur”. Por, alkimistit të madh të Manchester City i shpërtheu eksperimenti në dorë, kur ekipi i tij pa mesfushor me tipare mbrojtëse dhe pa sulmues u shkatërrua në të gjitha aspektet. Tuchel e ka mposhtur Guardiolën 3 herë në 6 javët e fundit, në 3 kompeticione të ndryshme.