Politika Integrimi, turizmi dhe krimet zgjedhore, flet ambasadori i BE-së në Tiranë

Integrimi, turizmi dhe krimet zgjedhore, flet ambasadori i BE-së në Tiranë

Në mbyllje të turit trijavor nëpër Shqipëri “Javët e Evropës 2021”, Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca thotë se vendi ynë ka nevojë për një turizëm të qëndrueshëm në mënyrë që të bëhet një destinacion tërheqës për turistët evropian. Në intervistën me gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë, Soreca mori si shembull zhvillimin e bujtinave.

“Turizmi i qëndrueshëm është ai lloj turizmi i cili mund ta bëjë Shqipërinë një destinacion tërheqës. Turistët evropianë në veçanti, por edhe shumë turistë të tjerë, shikojnë pasurinë që ka Shqipëria, asetet, si turizmin malor dhe atë të aventurës, turizmin kulturor. Ky bën dallimin. Për shembull, zhvillimi i bujtinave është shumë më produktiv se sa, për shembull, një hotel dhjetëkatësh në breg të detit.”- tha Soreca.

Ambasadori foli edhe për rëndësinë që ka ruajtja e Lumit Vjosa, i vetmi lum i egër në Evropë. Sipas tij, plani kombëtar për zonat e mbrojtura nuk duhet të fragmentarizohet.

“Parku është i rëndësishëm për të ruajtur në aspektin afatgjatë një pasuri unike të Shqipërisë. Ne, së bashku me ambasadorët e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe me partnerë ndërkombëtarë si Zvicra dhe Japonia, vazhdojmë të jemi në kontakt me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, në mënyrë që plani kombëtar për zonat e mbrojtura të jetë vërtet për zonat e mbrojtura, që të shmangim rrezikun që fragmentizimi ose qasja jo e plotë të ndodhë. Pra, të mos fragmentarizohet kjo gjë, dhe kjo vlen edhe për Vjosën, për parkun kombëtar, dhe vëmendja që është sjellë këtu është shumë e rëndësishme, por tani duhet të kalojmë te faktet.” – tha Soreca në Përballë.

Integrimi

Soreca thotë se fillimi i bisedimeve për anëtarësim do të përshpejtojë përballjen e drejtësisë me krimin e organizuar dhe peshqit e mëdhenj në Shqipëri. Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi, në emisionin Përballë, Soreca tha: “Është një çast i rëndësishëm, sepse kjo do ta lejojë Shqipërinë, domethënë agjencitë e BE-së, që të përshpejtojnë nivelin e ndërhyrjeve, por edhe mënyrat e ndërhyrjeve. Kështu që sa më shpejt që të fillojmë bisedat për anëtarësim, aq më shumë do ta godasim krimin e organizuar dhe pasuritë që janë krijuar në formë të jashtëligjshme. Kështu që unë shoh një përshpejtim të shpejtë pasi të fillojnë këto bisedime”.

“Ndiq paranë”

Ambasadori Soreca foli edhe për rezultatet e para të konceptit “Ndiq paranë” që sipas tij po shënjon pikënisjen e luftës me krimin dhe pasuritë e jashtëligjshme.

“Ju ndoshta e mbani mend që në intervistën tonë të parë ne kemi folur për konceptin “Ndiq paranë”. Kjo gjë po ndodh tashmë. Besoj që ju ku i keni vënë re disa raste, edhe raste të një profili të lartë, ku sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve, i pasurisë që është arritur me origjinë të jashtëligjshme, po punohet, edhe SPAK-u edhe BKH-ja po punojnë edhe më shumë për këtë çështje. Prokurori i Përgjithshëm Olsion Çela ka instruktuar prokurorët që të përqendrohen te konfiskimi. Dhe siç e dini, ju e njihni edhe vetë, për mua kjo është pikënisja, pikënisja e luftës, e goditjes së krimit të organizuar dhe të pasurisë së jashtëligjshme. Pra, kjo po ndodh gjithnjë e më shumë, çdo ditë.”- tha Soreca në Përballë.

Krimet zgjedhore

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Soreca pret rezultate të shpejta mbi çështjet e krimeve zgjedhore nga institucionet e reja të drejtësisë. I ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, Soreca tha se është e rëndësishme që këto institucione të fokusohen në këto çështje, në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim tek drejtësia e re.

“Në skenë kemi aktorë të rinj, kemi SPAK-un, dhe ju e keni parë edhe vetë që SPAK-u i ka kërkuar KQZ-së që të japë prova me audio, me video, kundër blerjes apo shitjes së aluduar të votës, pra të krimeve zgjedhore. Kjo është njëra gjë. Gjëja tjetër është që Olsion Çela, Prokurori i Përgjithshëm, në fakt i kërkoi Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë që të fillonte hetimet kundër atyre prokurorëve të cilët kanë zvarritur ose kanë vonuar gjërat me anën e mënyrës se si e kanë bërë detyrën. Për shembull, për zgjedhjet e Dibrës. Pra, ky është një sinjal i qartë, i cili nuk kishte ekzistuar më parë. Institucionet e reja po tregojnë objektivin, synimin, qëllimin e tyre për të luftuar krimin zgjedhor. Ne duam që kjo gjë të ndodhë dhe e kemi thënë që prej ditës sonë të parë, ditës pas zgjedhjeve, siç e thatë edhe ju, që duam që kjo gjë të ndodhë dhe të shikojmë rezultate. Është shumë e rëndësishme që institucionet e reja të drejtësisë të fokusohen fort në këtë çështje, në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim tek institucionet e reja.” – tha Soreca në Përballë.