Kulturë Një takim i papërsëritshëm i dy mendjeve brilante mbi shkencën dhe spiritualitetin

Një takim i papërsëritshëm i dy mendjeve brilante mbi shkencën dhe spiritualitetin

Dy mendje brilante të njerëzimit, Ajnshtajni dhe Tagora u takuan në vitin 1930 për të bërë një bisedë të paharrueshme për njeriun, të vërtetën, fenë dhe shpirtin e gjërave…

Më 14 korrik 1930, Albert Ajnshtajn mirëpriti në shtëpinë e tij në periferi të Berlinit, filozofin indian, muzikantin dhe laureatin e çmimit “Nobel”, Rabindranat Tagora. Ata patën një nga bisedat më stimuluese, më intelektuale dhe më dobiprurëse në histori, duke eksploruar lidhjen shumëvjeçare mes shkencës dhe fesë.

Ky është një “vallëzim” mendjesh të Ajnshtajnit dhe Tagorës, ku ata ekzaminuan shkencën, bukurinë, vetëdijen dhe filozofinë, në një meditim themelor për ekzistencën njerëzore.

***
Tagora: Jo të izoluar. Personaliteti i pafund i njeriut krahasohet me atë të universit. Nuk mund të ketë diçka që nuk përfshihet në personalitetin njerëzor dhe kjo provon se e Vërteta e Universit, është e Vërteta e Njeriut. Materia përbëhet nga protonet dhe elektronet, me hapësira mes tyre, por materia duket solide.

Ngjashmërisht, njerëzimi përbëhet nga individët, ato kanë lidhje njerëzore, gjë që i jep njeriut unitetin njerëzor. I gjithë universi lidhet me ne në një mënyrë të ngjashme, është një univers njerëzor.

Ajnshtajni: Ka dy lloje konceptesh të ndryshme rreth natyrës së universit: së pari, bota si një unitet i varur nga njerëzimi dhe së dyti, bota si një realitet i pavarur nga faktori njerëzor.

Tagora: Kur universi ynë është në harmoni me njeriun, e njohim si të vërtetë që të jep njëkohësisht ndjesinë e së bukurës.

Ajnshtajni: Ky është koncepti i pastër njerëzor i universit.

Tagora: Nuk mund të ketë koncept tjetër. Kjo botë është një botë njerëzore – pikëpamja shkencore për të është gjithashtu e një shkencëtari. Ka disa standarde arsyeje dhe kënaqësie që sjell e vërteta, standardin e Njeriut të Përjetshëm.

Ajnshtajni: Ky është një perceptim i entitetit njerëzor.

Tagora: Po, një entiteti të përjetshëm. Duhet të kuptojmë përmes eksperiencës njerëzore emocionet dhe aktivitetet tona. Ne perceptuam Njeriun Suprem, që nuk ka kufi individualë si limitet tona. Shkenca është kompetente ndaj asaj që nuk kufizohet te njeriu, është bota njerëzore e papërcaktuar e së vërtetës.
Feja i kupton këto të vërteta dhe i lidh ato me nevojat tona më të thella, vetëdija jonë individuale e së vërtetës, fiton domethënie universale. Feja aplikon vlerat e së vërtetës dhe ne e njohim këtë të vërtetë më mirë, përmes harmonisë sonë me të.

Ajnshtajni: E vërteta atëherë, ose bukuria, nuk varet nga njeriu?

Tagora: Jo.

Ajnshtajni: Nëse nuk do të kishte më qenie njerëzore, Apolloni nuk do të ishte më i bukur.

Tagora: Jo.

Ajnshtajni: Bie dakord në lidhje me këtë koncept të së bukurës, por jo me të vërtetën.

Tagora: Përse jo? E vërteta kuptohet nga njeriu.

Ajnshtajni: Nuk mund ta provoj se koncepti im është i drejtë, por ai është feja ime.

Tagora: E bukura është ideali i harmonisë perfekte që është te qenia universale. E vërteta është kuptimi perfekt i mendjes universale. Ne individët i qasemi asaj përmes gabimeve tona dhe përmes eksperiencave dhe iluminimit të vetëdijes, përndryshe si do ta njihnim të vërtetën?

Ajnshtajni: Nuk mund ta provoj shkencërisht se e vërteta duhet të kuptohet si një e vërtetë që është e vlefshme në mënyrë të pavarur për njerëzimin, por besoj në të me ngulm. Unë besoj se teorema e Pitagorës në gjeometri, deklaron diçka që është afërsisht e vërtetë, e pavarur nga ekzistenca e njeriut.

Tagora: Në shkenca, ne shkojmë përtej disiplinës së eliminimit të kufizimeve personale të mendjeve individuale dhe kështu arrijmë të kuptojmë të vërtetën që është në mendjen e njeriut universal.

Ajnshtajni: Problemi fillon me faktin nëse e vërteta varet nga vetëdija jonë.

Tagora: Çfarë ne e quajmë të vërtetë, ndodhet në harmoni racionale mes aspekteve subjektive dhe objektive të realitetit, që të dyja i përkasin njeriut superpersonal.

Ajnshtajni: Edhe në jetën tonë të përditshme, ndihemi të detyruar të njohim një realitet të pavarur nga njeriu në lidhje me objektet që përdorim. Ne e bëjmë këtë për të lidhur eksperiencat e ndjenjave tona në një mënyrë të arsyeshme. Për shembull, nëse askush nuk është në këtë shtëpi, atëherë tavolina mbetet ende atje.

Tagora: Po, mbetet jashtë mendjes individuale, por jo në mendjen universale. Tavolina që unë perceptoj, është e perceptueshme nga e njëjta lloj ndërgjegjeje të cilën unë e posedoj. Feja ime është në pajtim me Njeriun Super-personal, shpirtin universal njerëzor, në qenien time individuale…

Ajnshtajni: Atëherë unë jam më fetar se ju!

Burimi: Brain Pickings