Udhëtimi i parë jashtë shtetit i Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden, që fillon javën e ardhshme, do të përfshijë edhe një takim me Presidentin e Turqisë Rexhep Taip Erdogan.
Duke filluar nga 10 qershori, Biden planifikon të udhëtojë në Evropë ku do të marrë pjesë në samitet e G7, NATO dhe Bashkimit Evropian. Biden do të takohet me Erdoganin në samitin e NATO-s në Bruksel në 14 Qershor. Udhëheqësit e NATO-s kanë planifikuar të diskutojnë kërcënimet në të ardhmen, si dhe tërheqjen e planifikuar të forcave të SHBA-së dhe NATO-s nga Afganistani.
Biden dhe Erdogan pritet të diskutojnë gamën e plotë të çështjeve bilaterale dhe rajonale. Sipas Shtëpisë së Bardhë ky udhëtim do të nxjerrë në pah angazhimin e Amerikës për të rivendosur aleancat, për të ringjallur marrëdhëniet transatlantike, për të punuar në bashkëpunim të ngushtë me aleatët dhe partnerët, për të adresuar sfidat globale dhe për të siguruar më mirë interesat e Amerikës.
Turqia ka thënë se dëshiron marrëdhënie më të mira me Uashingtonin nën administratën e re të Biden dhe kërkon t’i japë fund mbështetjes së SHBA-së për Njësitë e Mbrojtjes së Popullit të drejtuar nga kurdët në Siri.
Biden do të përfundojë udhëtimin e tij të parë jashtë vendit me një takim të njoftuar më parë ballë për ballë me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin në Gjenevë, në 16 Qershor. Takimi i Biden me Putin është hartuar nga Shtëpia e Bardhë si synim për ndërtimin e një marrëdhënie të qëndrueshme me Rusinë.
Udhëtimi do të jetë një përpjekje për të rinovuar lidershipin global të SHBA, pas tërheqjes së ish-Presidentit Donald Trump nga skena botërore dhe një zbutje të lidhjeve me aleatët evropianë të cilët Trump i kishte tjetërsuar.