Sport Dështon marrëveshja me Tottenham, Conte do të qëndrojë një vit pushim

Dështon marrëveshja me Tottenham, Conte do të qëndrojë një vit pushim

Dështon transferimi i Antonio Contes te Tottenham Hotspur në Angli. Edhe pse të premten në mediat italiane u përfol për një marrëveshje të arritur mes palëve, Conte nuk ka mbetur i bindur nga projekti që i ka paraqitur pronari i gjelave të Londrës Daniel Levy dhe me shumë gjasa do të qëndrojë një vit pushim për t’u rikthyer sërish në pankinë në një tjetër klub në verën e vitit 2022, pas eksperiencës 2-vjeçare me Interin.

Dyshimet e Contes për të mos pranuar ofertën e Tottenham lidheshin me faktin se diferencat mes klubit londinez që e mbylli sezonin e fundit në vendin e 7-të dhe ekipeve të kreut janë shumë të mëdha dhe se trajneri italian do ta kishte shumë të vështirë të fitonte që në sezonin e tij të parë me Spurs.

Egoja e Contes është të fitojë kudo ku shkon në një kohë shumë të shkurtër, por te Tottenham do ta kishte shumë të vështirë për të thyer hegjemoninë e skuadrave si Manchester City, Liverpool, Chelsea apo Manchester United. Edhe vetë presidentit të Tottenham i janë dukur të ekzagjeruara disa nga kërkesat e Contes për të nisur një projekt të ri sëbashku dhe të gjitha këto aryse kanë bërë që marrëveshja të mos arrihet.

Tashmë Fabio Paratici i cili në orët e ardhshme do të emërohet drejtori i ri sportiv i Tottenham do të ketë detyrën e vështirë për të gjetur teknikun e ri që do të pasojë Ryan Mason në stolin e Spurs, një detyrë e vështirë kjo për ish-drejtuesin e Juventusit pasi dy pistat më të rëndësishme që ishin ato të Pochettinos dhe Contes janë sfumuar.