Një treshe gjyqtarësh nga Durrësi janë nën hetim për korrupsion pasiv, pasi dyshohen se kanë përfituar një udhëtim për të parë ndeshjen Real Madrid – Barcelona nga një biznesmen, palë në një gjykim civil.
Flamur Vezaj/ BIRN
Tre gjyqtarë të gjykatës së Apelit Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno janë nën hetim për korrupsion pasiv nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Gjyqtarët dyshohen se janë sponsorizuar në dy udhëtime jashtë vendit nga një biznesmen durrsak, i cili ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej prej tyre.
Të dhënat e siguruara nga BIRN prej dosjes hetimore tregojnë se tre gjyqtarët kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014, për të parë ndeshjen e futbollit Real Madrid – Barcelona.
Prokuroria dyshon se ky udhëtim është bërë në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku – pronari i një kompleksi turistik në Durrës – dhe është paguar prej tij.
Në kohën e udhëtimit drejt Madridit, Sadiku kishte të hapur një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Më herët, dyshohet se relatori i çështjes, Kliton Spahiu dhe gjyqtari Petraq Dhimitri kishin udhëtuar në shoqërinë e Sadikut edhe në Itali.
Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sadiku ishte paditur nga ish ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012.
Në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, çështja në fjalë është fituar nga paditësi Oliver Ushina. Ndërkohë, Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë duke i dhënë të drejtë Sadikut.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, më 18 shkurt 2015, Ushina ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit, ku akuzonte treshen e gjyqtarëve se kishin marrë vendim në favor të Sadikut, pasi kishin përfituar prej tij dy udhëtime jashtë vendit.
Zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshëm konfirmoi procedimin penal në adresë të gjyqtarëve, ndërsa pohoi se çështja është ende në hetim.
I kontakuar nga BIRN, Sadiku mohoi kategorikisht se kishte udhëtuar bashkë me gjyqtarët në Itali dhe Spanjë si dhe akuzën se kishte sponsorizuar shpenzimet e tyre. Sipas Sadikut, përkimi i datave të udhëtimit me ato të gjyqtarëve ishte krejt rastësore.
Ai shtoi se gjatë këtyre udhëtimeve nuk ka pasur kontakt me gjykatësit e çështjes.
“Unë nuk kam pirë as edhe një kafe me gjyqtarët. Më zvarrisin prej një viti e tetë muajsh në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pa asnjë provë,” i tha Sadiku BIRN.
Sipas një dokumenti të siguruar nga BIRN, kallëzimi kundrejt tre gjyqtarëve është depozituar fillimisht në prokurorinë e Durrësit dhe më pas i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo Prokurori ka regjistruar procedimin me nr.113 të vitit 2015, për veprat penale të “korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” si dhe të “korrupsionit pasiv…”
Dokumentet hetimore të para nga BIRN tregojnë se tre gjyqtarët kanë udhëtuar në drejtim të Spanjës nga aeroporti “Nënë Tereza” më 24 tetor 2014, me linjën tranzit Alitalia dhe janë kthyer më 26 tetor 2014. Ndërsa biznesmeni Sadiku ka udhëtuar drejt Spanjës një ditë më parë, më 23 tetor 2014, dhe është kthyer me të njëjtin avion me gjyqtarët më 26 tetor.
Sipas Prokurorisë, qëllimi i udhëtimit në Spanjë i të dyshuarve ishte ndjekja në stadium e ndeshjes së futbollit mes Real Madrid dhe Barcelonës. I ashtëquajturi derbi “El Classico” u mbajt në Madrid në 25 tetor 2014 dhe u fitua me rezultatin 3:1 nga skuadra pritëse e Realit të Madridit.
Më herët, më 2 tetor 2014, gjyqtarët Spahiu dhe Dhimitri kanë udhëtuar drejt Italisë në të njëjtën linjë dhe avion me Sadikun. Si gjyqtarët dhe biznesmeni janë kthyer nga Italia në të njëjtën ditë dhe orë.
Dyshimet për financimin e këtyre udhëtimeve janë në proces hetimi prej më shumë se një viti e gjysmë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. BIRN mësoi se tre prokurorë janë ndërruar përgjatë kësaj kohe, pa arritur ende në një vendimarrje.
Tre gjyqtarët e akuzuar kanë një karrierë të gjatë në sistemin shqiptar të drejtësisë. Petrit Çeno drejton prej vitit 2010 Gjykatën e Apelit të Durrësit, ndërsa në vitin 2013 ai u dekretua nga presidenti Bujar Nishani në Gjykatën e Lartë. Gjithsesi, Çeno mbeti në Apel pasi Kuvendi rrëzoi dekretin e promovimit të tij.
Gjyqtari Kliton Spahiu është emëruar në Apelin e Durrësit pas disa vitesh karrierë në Gjykatën e Kurbinit, ndërsa Petraq Dhimitri punon prej vitit 2010 në këtë gjykatë.
Të kontaktuar nga BIRN nëpërmjet telefonit, të tre gjyqtarët nuk iu përgjigjën një kërkesë për koment mbi hetimin e prokurorisë dhe udhëtimet e dyshuara. Ndërsa Sadiku i shpjegoi BIRN se e kishte vënë re praninë e gjyqtarëve në aeroport, por udhëtimet e tij kishin qëllime biznesi dhe axhendë të ndryshme nga ajo e gjyqtarëve.
Ndryshe nga Sadiku, një burim i Prokurorisë i tha BIRN se ekzistojnë një seri provash hetimore që dëshmojnë udhëtimin e gjyqtarëve në shoqërinë e biznesmenit. Në funksion të këtij hetimi, Prokuroria ka dërguar letër porosi në Itali dhe Spanjë, duke mbledhur dëshmi mbi itinerarin e të dyshuarve.
Prezenca e këtyre letër porosive konfirmohet dhe nga Sadiku, i cili tha BIRN se edhe vëllai i tij në Itali ishte marrë në pytje si pjesë e këtij procedimi, duke i shkaktuar “shqetësim familjar”.
Sadiku e cilëson kallëzimin kundër tij një fabrikim të ish-ortakut Ushina, të mbështetur nga lidhjet e tij të ngushta familjare në Gjykatën e Durrësit dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. I kontaktuar nga BIRN, Ushina nuk pranoi të komentonte mbi konfliktin gjyqësor dhe arsyet që e shtynë të bënte kallëzim penal.
BIRN mësoi gjithashtu se tre gjyqtarët janë marrë në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku kanë mohuar të kenë marrë përfitime nga biznesmeni durrsak. Gjyqtarët kanë pretenduar se i kanë paguar vetë shpenzimet e udhëtimit, ndërkohë që relatori Spahiu deklaroi se shpenzimet e udhëtimeve i kishte paguar me paratë e fituara në lloto sportive.
Në deklaratat e pasurisë së dorëzuara në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive rezulton se gjyqtari Kliton Spahiu ka raportuar disa skedina fituese për të justifikuar pasurinë. Ai ka deklaruar se ka fituar në total 2 791 676 lekë dhe 4246 dollarë prej llotove sportive në vitet 2012-2014.