Nga prof. Viron Laska
Të hedhësh në letër, kujtimet për zhvillimin e lojës së futbollit, i cili është sporti më i dashur për të gjithë, nuk është e lehtë, pasi ato janë të shumta dhe larmishme, ku do të mundohem të sjellë emrat e trajnerëve, shokëve të mi të skuadrës dhe për brezat e tjerë të futbollistëve, të cilët luajtën në vazhdim.
Në bisedat që kam shkëmbyer me veteranët e sportit të futbollit; me shokët e mi futbollistë; me të cilët kemi luajtur në atë periudhë, pa harruar edhe shfletimin e albumit fotografikë, jam munduar të hedhë në letër, kujtimet në vijim, të cilat pasqyrojnë sadopak, zhvillimin e futbollit në qytetet Memaliaj dhe Tepelenë.
Në rrethin tonë, duke filluar nga viti 1948-1956, u vu re një rritje e aktiviteteve sportive dhe sidomos ai i futbollit. Në këtë periudhë u krijua skuadra e futbollit me emrin “Vjosa“, e më vonë “Puna“, e cila drejtohej nga futbollisti dhe trajneri i apasionuar, Karafil Asllani, emrin e të cilit mban sot fusha sportive e qytetit të Memaliajt.
Ndeshjet e para të skuadrës, luheshin në fushën sportive, të ndërtuar në tokat e fshatit Beçisht, pranë urës së ndërtuar mbi lumin Vjosë, nga Ali Pashë Tepelena.
Gjatë kësaj periudhe, në këtë skuadër kanë luajtur: Karafil Asllani, Meçe Abedini, Kiço Karai, Zeqo Kadiri, Dionis Simoni, Aqif Gërbi, Thoma Frashëri, Ferat Shabani, Elmas Micka, Nazmi Paja, Sabaudin Shehu, Nesim Shehu, Zane Nika, Dule Harizi, Sefi Pazaj, Sali Sulejmani, Musa Çela, …etj.
Në vitin 1949-të, fillon kampionati i futbollit, i ndarë në 8 grupe. Tepelena bënte pjesë në grupin e 8-të, me Përmetin, Leskovikun dhe Kolonjën. Takimet filluan në 22 maj 1949-të dhe vazhduan për 4-muaj rresht. Grupi i 8-të, ku bënte pjesë Tepelena, për mungesë komunikacioni, i filloi takimet në 12 qershor. Takimin e parë, Tepelena e zhvilloi me Përmetin, më 24 maj 1949 -të dhe e humbi atë, me rezultatin 3-0. Ndeshja e dytë, Tepelena-Kolonja, përfundoi 0-0.
Në vitin 1950-të, kampionati zhvillohet me sistem eleminimi, me dy takime. Në takimin e parë, ndeshen ekipet: “Puna“ e Përmetit me “Puna“ e Tepelenës dhe ndeshja përfundon 1-0, për përmetarët. Ndërsa takimi i dytë, i cili luhet në Tepelenë: “Puna“ e Tepelenës – “Puna“ e Përmetit, përfundon barazim 0-0, dhe ky rezultat e eleminon Tepelenën.
Në vitin 1951, ekipi i futbollit “Puna“ e Tepelenës, zhvilloi vetëm një takim në qytetin e Përmetit me ekipin “Puna“ e Përmetit dhe e humbet me rezultatin 1-0.
Në vitin 1952, përveç takimeve të kampionatit, u zhvilluan edhe takime miqësore, të cilat u luajtën në fushën e garnizonit ushtarak të Gjirokastrës, ku morën pjesë ekipet si: “Puna“ e Tepelenës, “Puna“ e Përmetit, “Spartaku“ i Përmetit, Erseka dhe Këlcyra.
Në vitin 1953, kampionati filloi në muajin prill të këtij viti, i cili ishte ndarë në 10 grupe me nga 4-5 skuadra. Në grupin tonë bënin pjesë: “Puna” e Tepelenës, “Puna” e Përmetit, “Spartaku” i Përmetit, Leskoviku dhe Këlcyra. Takimin e parë, “Puna” e Tepelenës e zhvilloi me “Puna“ e Përmetit dhe barazoi 2-2, kurse takimi me ekipin e Këlcyrës, u fitua nga ekipi Tepelenas.
Në vitin 1954, kampionati u zhvillua i ndarë në 8 grupe, të cilat u ndanë sipas qarqeve. Në qarkun e Gjirokastrës, bënin pjesë, “Puna” e Gjirokastrës, “Puna“ e Përmetit dhe “Puna” e Tepelenës. Takimin e parë zyrtar, “Puna“ e Tepelenës, e zhvilloi me “Puna“ e Përmetit, në qytetin e Përmetit. Një korrespodent i kohës së Gazetës “Sporti“, shkruante: “Tepelenasit, erdhën shumë të mobilizuar në Përmet, për faktin se: dy javë më parë në një takim miqësor, ishin mundur thellë nga përmetarët. Kjo e mobilizoi ekipin tepelenas, të cilët treguan një futboll të mirë para publikut përmetar. Miqtë shënuan të parët, kurse përmetarët që zbrisnin vazhdimisht në portën tepelenase, nuk po e gjenin dotë rrugën e rrjetës. Golin e barazimit, përmetarët e shënuan me 11 metërsh.” Kështu u mbyll ky takim. Në takimin tjetër në Tepelenë, ekipi “Puna“ e Gjirokastrës, fiton ndeshjen, duke zënë vendin e parë në grup.
Në vitin 1956, kampionati pësoi përsëri ndryshime në strukturën organizative. Kategoria e I-rë, nga 16 skuadra, u reduktua në 9 skuadra. Ndeshjet do të zhvilloheshin sipas qarqeve dhe lokaliteteve. Në Qarkun e Gjirokastrës, merrnin pjesë 6 skuadra të ndara në dy grupe. Grupi ku bënin pjesë tepelenasit përbëhej nga, Gjirokastra, Tepelena, Delvina, Saranda, Himara dhe Përmeti. Ndeshjet e këtij kampionati, u zhvilluan me sistem eleminimi.
Në vitin 1958-të, futbolli pësoi rritje. Këtë vit, ekipit i futbollit të Tepelenës, i vihet emri “Minatori“, dhe bënte pjesë në grup me Gjirokastrën, Përmetin, Sarandën, Delvinën dhe “Vetëtimën“ e Himarës. Këtë vit, kemi humbur me “24 Majin“ e Përmetit, me rezultatin 2-1.
Nga ky vit e deri në vitin 1971, kanë luajtur këta futbollistë: Halit Minxolli, Zane Nika, Pëllumb Xhani, Mitat Gërbi, Skënder Arapi, Dilaver Abazi, Nikoll Nikolla, Aleks Mero, Dionis Çakalli, Eqerem Braja, Muhamet Lola, Abaz Dedgjoni, Pandeli Kume, Halim Pacani, Muharrem Kasa, Pandeli Dushi, Gëzim Hysesani, Partizan Hila, Muharrem Baze, Viron Laska, Pjetër Gjuraj, Mehmet Muçi, Sadik Nela, Neshet Zhupa, Novruz Çibuku, Tefik Lila, Vladimir Shehu, Qirjako Fani, Gëzim Kalemi, Myzafer Shehu, Petrit Kocali, Reshat Sala, Muhedin Tarka, Mehdi Malka, Kujtim Hysi, Androkli Muzha, Qani Bega, Timoshenko Bushi, Mustafa Mustafaraj, Vladimir Bushi, Isa Bunjaku, Kujtim Hysenaj, Agim Doda, Enver Ogreni, Stavri Gusho, Kastriot Lika, Lulëzim Shala, … etj.
Në vitin 1959, kategoria e tretë u nda në tre grupe, ku finalistët do të zhvillonin një kampionat midis tyre dhe ekipi kampion, do të futej në kategorinë e dytë. Në grupin tonë bënin pjesë: “Minatori“ i Tepelenës, “24 Maji “ i Përmetit, “Bistrica“ e Delvinës, “Butrinti” i Sarandës dhe “Vetëtima“ e Himarës.
Në vitin 1960-të, kampionati filloi në muajin prill dhe mbaroi në qershor. “Minatori” i Tepelenës, bënte pjesë në Grupin “C”, së bashku me “24 Majin“ e Përmetit, “Bistricën“ e Delvinës, “Butrintin” e Sarandës dhe “Vetëtimën“ e Himarës. Takimin e parë, “Minatori” e zhvilloi në Memaliaj me “24 Majin“ e Përmetit, i cili përfundoi në barazim 2-2, ndërsa takimi i kthimit që u zhvillua në Përmet, e humbi me rezultatin 2-0.
Gjatë vitit 1961-ë, kampionati i kategorisë së tretë, u organizua i ndarë në grupe dhe gjithësej bëheshin 4 grupe, sipas vendndodhjes gjeografike. Ekipi jonë “Minatori“, bëri pjesë në Grupin “C”, së bashku me “24 Majin“ e Përmetit, “Butrintin“ e Sarandës dhe “Ve-tëtimën“ e Himarës. Faza e parë e këtij kampionati, filloi në prill të vitit 1961-ë. Në takimin e parë me “24 Majin “ e Përmetit, e fituam 1-0. Ndeshjet e kthimit, u zhvilluan në 14 maj të vitit 1961-ë dhe takimin e dytë, atë të kthimit, e fitojmë përsëri, por kësaj here me rezultatin 2-1.
Që sportdashësit memaljotë, të njihen edhe me emrat e futbollistëve ushtarë, të cilët kanë dhënë një kontribut shumë të madh, si për rritjen e cilësisë sportive, po ashtu edhe për arritjen e rezultateve të larta në këtë sport, po sjell emrat e tyre, si: Isa Bonjaku nga Tirana, i cili ka luajtur me Sport Klubin “Tekstilisti“ po të kryeqytetit. Ndërsa tiranasi tjetër, Kujtim Hysenaj, ka luajtur me ekipin “17 Nëntori“. Futbollisti fierak, Agim Doda ka lujatur me ekipin e “Apollonisë” së Fierit. Ndërsa korçari, Enver Ogrenji, ka luajtur me “Skënderbeun” dhe gjirokastriti, Stavri Gusho, ka lujatur me “Luftëtarin”. Lulëzim Shala vinte nga Tirana.
Trajnerët e skuadrës së “Minatorit” në vite, kanë qënë: Karafil Asllani, Sefi Pazaj, Sabaudin Shehu, Halit Minxolli dhe Partizan Hila.
Kampionati i vitit 1962, që zhvillohej për kategorinë e tretë, filloi në datën 24 prill deri më 3 qershor. Skuadrat e këtij kampionati, ishin ndarë në 6 grupe. Ekipi “Minatori“ i Tepelenës, bënte pjesë në Grupin “F”, së bashku me “24 Majin” e Përmetit dhe “Vetëtimën“ e Himarës. Takimi i parë midis “24 Majit“ të Përmetit dhe “Minatorit“ të Tepelenës, u zhvillua në Përmet dhe përfundoi me rezultatin 2-1. Takimi i fundit u zhvillua në Memaliaj, në 10 qershor të vitit 1962. Gazeta “Sporti Popullor“, në atë kohë shkruante: “Takim dramatik, ishte ai i zhvilluar në Memaliaj, midis ekipit vendas dhe atij të Përmetit. Ishin dy skuadra me golavarazh dhe pikë të barabarta dhe kështu mbeti deri në përfundim të kësaj ndeshjeje, sepse loja e rregullt u mbyll me barazim 0-0. Edhe në shtesë rezultati mbeti i pa ndryshuar. Në bazë të numrit të goditjeve nga këndi Tepelena u kualifikua për në takimin final.
Në shtator të vitit 1964 filluan takimet e sezonit futbollistik 1964-1965. Në këtë vit, u zhvilluan edhe ndeshjet për Kupën e Republikës. Faza e parë, u zhvillua midis kolektivave të rretheve dhe faza e dytë, midis rretheve. Ekipi jonë “Minatori“, luajti në Memaliaj me ekipin e “24 Majit” të Përmetit, ndeshje, e cila përfundoi me fitoren e “Minatorit”, me rezultatin e thellë 4-0, duke eleminuar përmetarët.
Gjatë sezonit 1965-1966, skuadrat e kategorisë së tretë të futbollit, ndahen në 6 grupe të vogla. Sezoni futbollistik 1966-1967, pati një ndryshim në strukturën organizative. Kategoria e tretë, u nda në tri grupe me nga 6 ekipe. Kampionati filloi në 18 shtator të vitit 1966. Në grupin “B”, bënin pjesë: Përmeti, Delvina, Saranda, Erseka, Tepelena dhe Skrapari. Ekipi jonë takimin e parë e zhvilloi në Memaliaj, duke fituar 3-0 me “24 Majin” e Përmetit. Ndërsa takimi i radhës,, Tepelena-Gramozi, përfundoi 2-1.
Në këtë grup, u zhvillua një luftë e fortë sportive dhe një konkurrencë pikësh. Tri skuadra, “Bistrica”, “24 Maji” dhe “Minatori”, udhëhiqnin me nga 6-pikë secila. Në fazën e dytë, udhëtuam në Përmet, ku fituam me rezultatin 1-0. Në fund të këtij kampionati, “Miantori” zuri vendin e parë.
Viti 1967-të, për ekipin tonë “Minatori” dhe sportëdashësit e rrethit tonë, do të mbetet si vit historik, pasi ekipi hyri në Kategorinë e II-të. Në 17 korrik të vitit 1967-të, në qytetin e Pukës, u zhvillua ndeshja finale midis “Tërbunit” të Pukës dhe “Minatorit” të Tepelenës, me rezultatin 0-1, me gol të shënuarnga Dionis Çakalli. Ekipi ynë, hyri në Kategorinë e Dytë. Në atë kohë, ekipi drejtohej nga trajneri Sefi Pazaj dhe në këtë takim kanë luajtur këta lojtarë: Isa Bunjaku, Muharrem Kasa, Halim Pacani, Niko Nikolla, Viron Laska, Muharrem Baze, Mitat Gërbi, Muhamet Lola, Dionis Çakalli, Gëzim Hysesani dhe Abas Dedgjoni.
Në vitin 1968, Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Dytë, pësoi një ndryshim, përsa i përket organizimit të tij. Ky kampionat nuk u zhvillua në shtator të vitit 1967-të, por filloi në mars të vitit 1968-të, ku ekipet pjesëmarrëse u ndanë në dy grupe, me nga 12-ekipe secila. Ekipi “Minatori“, bënte pjesë në Grupin “B”, së bashku me “Bistricën“ e Delvinës, “Butrintin” e Sarandës, “5 shtatori“ e Skraparit, “Punëtorin” e Patosit, “24 Majin“ Pērmetit, “10 Korrikun“ e Gramshit, “Studentin” e Tiranës, “Gramozin“ e Ersekës, “Sopotin” e Librazhdit dhe “Naftëtarin“ e Qytetit Stalin (Kuçovës) dhe “22 Tetori” i Poliçanit.
Në vitin 1969-të, u zhvillua Kampionati i Futbollit të Kategorisë së Dytë me 12-ekipe, ku bënin pjesë: “24 Maji“ i Përmetit, “22 Tetori“ i Poliçanit, “Butrinti“ i Sarandës, “5 shtatori“ i Skraparit, “Tomorri“ i Beratit, “Erzeni“ i Shijakut, “Gramozi“ i Ersekës, “Dajti“ i Kazës së Tiranës, “Bistrica“ e Delvinës, “Shkumbini” i Peqinit, “Minatori“ i Tepelenës dhe “Punëtori“ i Patosit.
Faza e parë, filloi në shtator të vitit 1969-të, ndërsa faza e dytë, filloi në mars të vitit 1970-të.
Ekipet “Minatori” i Tepelenës dhe “24 Maji“ i Përmetit, si dy skuadra të rretheve fqinjë, të detyruara nga rrethanat e krijuara, do të zhvillonin midis tyre një betejë sportive për të larguar njeri-tjetrin nga kjo kategori. Të gjithë prisnin në ankth, për të mësuar se: Cila nga këto skuadra do të lunte vitin tjetër në Kategorinë e III-të? Këtë do ta zgjidhte takimi që do të zhvillohej në qytetin e Memaliajt. Përmetarët, në bazë të golavarazhit që kishin, u mjaftonte edhe barazimi për të mbetur në Kategorinë e Dytë. Ata e kishin vlerësuar shumë ndeshjen, saqë me ekipin kishin ardhur edhe shumë sportdashës për t’i përkrahur. Ndeshja u gjykua nga gjyqtari fierak, Arsen Hoxha.
Skuadra jonë, ishte në sulm përgjatë gjithë ndeshjes për të fituar 2 pikët, ndërsa përmetarët ishin në mbrojtje përgjatë gjithë kohës, duke kundërsulmuar. Mbrojtja jonë u tregua e pakujdesshme dhe përmetarët në një moment, shënuan golin e parë me anën e të talentuarit, Durim Qypi. Më mbrapa, pas shumë përpjekjeve, shënuam edhe ne, ku takimi përfundoi në barazim 1-1. Për përmetarët, si lojtarët edhe sportdashësit, ishte gëzim i madh, pasi mbetën në Kategorinë e II-të, kurse ekipi ynë zbriste në Kategorinë e III-të. Por, për fatin tonë, për sezonin 1970-1971, Kampionati Kombëtar i Kategorisë së II-të, nga 12-skuadra që ishin në sezonin e mëparshëm, bëhet me 14-skuadra dhe nga ky ndryshim, ekipi mbetet përsëri në Kategorinë e II-të.
Kampionati i Futbollit për Kategorinë e II-të, filloi në shtator të vitit 1970, ku bënim pjesë në Grupin “B”. Në këtë vit, filloi edhe Kampionati Kombëtar i Futbollit për të Rinjtë, ku ekipi ynë bënte pjesë në Grupin e I-rë, së bashku me Përmetin, Tepelenën dhe Skraparin.
Padyshim, që kujtimet janë të shumta, nëse do t’i shkruajmë me detaje, por unë solla ato më kryesoret, për të bërë të mundur, një pasqyrim historik, të ecurisë së futbollit tepelenas, qysh nga fillimet e saj e deri në vitin 1971-ë.
Për çfarë shpreha në këtë ditar të shkurtër, kanë ngelur thellë edhe në memorjen e shumë sportistëve dhe sportdashësve të atyre viteve, që sa herë kthehemi në vite, nga mrekullojnë!
Gjej rastin të shprehë mirënjohjen time më të thellë, jo vetëm për kontributin e sportistëve të atyre viteve, por për të gjithë brezat e sportistëve që i kanë dhënë futbollit tepelenas dhe atë në shkallë vendi! Mirënjohja shkon gjithashtu edhe për të gjithë ata sportdashës, që e kanë mbështetur në çdo çast futbollin tepelenas!