Aktualitet Vrasja në Ksamil, atentatorët e pritën 46-vjeçarin para shtëpisë

Vrasja në Ksamil, atentatorët e pritën 46-vjeçarin para shtëpisë

Grupi hetimor i policisë ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën ku u vra 46-vjeçari Gramoz Mema mbrëmjen e së dielës në Ksamil.

Sipas burimeve policore, dyshohet që ngjarja të jetë filmuar nga kamerat e sigurisë. Për këtë arsye do të bëhet kqyrja dhe analizmi i këtyre pamjeve nëse mund të ndihmojnë në zbulimin e autorëve të vrasjes.

Deri në këto momente në komisariatin e policisë së Sarandës janë shoqëruar të paktën 5 persona, të cilët do të pyeten nëse kanë dijeni për ngjarjen. Por mësohet se deri më tani nuk ka asnjë të dhënë konkrete sa i përket autorëve.

Viktima Gramoz Mema me origjinë nga Tepelena u qëllua me armë pranë banesës së tij. Vrasësit dyshohet se kanë qenë duke e pritur dhe sapo 46-vjeçari doli nga makina, ai u qëllua me pistoletë. Në vendngjarje u gjetën 7 gëzhoja.

Viktima ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa atentatorët që besohet të kenë qenë të paktën 2, u larguan nga vendngjarja me një automjet. Grupi hetimor është duke hetuar për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet e kësaj vrasje.

Viktima Gramoz Mema 46 vjeç ka qenë pronar i një lokali në Ksamil. Pjesën më të madhe të vitit ai jetonte dhe punonte në Greqi, ndërsa në Ksamil kthehej në muajt e verës ku punonte në lokalin e tij.