Politika Basha: Jemi krah për krah me Kosovën/ Konjufca: Qëndrimet kundërthënëse në të...

Basha: Jemi krah për krah me Kosovën/ Konjufca: Qëndrimet kundërthënëse në të kaluarën na kanë dëmtuar

Kryetari në detyrë i PD Lulzim Basha priti sot në një takim në selinë blu kreun e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Basha tha se PD do të qëndrojë krah për krah me Kosovën në sfidat që e presin, duke vënë në dukje se njohja e ndërsjelltë me Serbinë është e domosdoshme për stabilitetin në rajon.

“Shkëmbyem mendime mbi zhvillimet politike në Kosovë, në Shqipëri, në rajon. E urova edhe personalisht për detyrën e rëndësishme. E sigurova për mbështetjen e plotë dhe koherente të PD me të gjitha sfidat që përballet Kuvendi, qeveria dhe institucionet e Kosovës dhe mbështetjen e plotë e vëllazërore të qytetarëve të Kosovës, në çështjet e brendshme, zhvillimit të ekonomisë dhe tejkalimit të pasojave social-ekonomike të pandemisë dhe mbi të gjitha në qëndrimin krah për krah në përballjen me sfidat e tjera, ku prioritet për PD mbetet vazhdimi i njohjeve ndërkombëtare, përfundimi me sukses i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjelltë, si një investim i domosdoshëm për të çimentuar stabilitetin dhe orientimin euro-atlantik të rajonit tonë”, tha Basha.

Konjufca e vuri theksin te pozicionimi i përbashkët i Shqipërisë me Kosovën, duke u shprehur se qëndrimet kundërthënëse të së shkuarës kanë sjellë dëme.

“Fati i shteteve tona është i përbashkët sepse jemi një komb. Më erdhi mirë kur i dëgjova qëndrimet e PD për sfidat që e presin Kosovën në të ardhmen. Prekëm dialogun me Serbinë, në të cilën Kosova po përballet me qëllimet e Serbisë që rezultatin përfundimtar synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një entiteti serb. Vetëm duke pasur një pozicion unik, të përbashkët, për të cilin punojmë duke e ndërtuar bashkë, dy shtetet tona mund të kenë sukses. Me zëra të ndarë, të fragmentuar, me qëndrime kundërthënëse që na kanë ndodhur ndonjëherë në të kaluarën, kemi përjetuar vetëm dëme”, tha Konjufca.