Në Këshillin e Lartë Gjyqësor u zhvillua seanca dëgjimore për procedimin disiplinor të kërkuar nga ILD Artur Metani, ndaj magjistrates Enkeleida Kapedani, e cila u bë protagoniste e ditëve të fundit për shkak të disa videove personale të saj të publikuara në rrjetin TikTok, ku ajo sfilonte në ambientet e Gjykatës së Elbasanit, si dhe promovonte veshjet luksoze.
Gjatë fjalës së saj, Kapedani u shpreh: “Po e nis mbrojtjen time me një ndjesë të thellë publike. Kam pritur gjatë të dal para jush. Kjo edhe për shkak të një vendimi të dhënë nga unë që më ndjek e më përndjek. A keni ju një rezultat si është Kapedani si gjyqtare, si profesioniste, si e kam menaxhuar gjykatën, a keni ju dijeni që ka ndryshuar Gjykata e Elbasanit? Askujt nga ju nuk i ka ndodhur të dëgjojë këngë me karaktere të ndryshme? Në cilin vend dënohet një gjyqtare që i publikohen videot e saj private, pyetja është kë kam shkelur unë në kallo? Këto pyetje ja bëj vetes pasi kjo gjë ka qenë e qëllimshme për të më dëmtuar mua si grua, si nënë, si profesioniste. Të tilla reagime publiku nuk i ka patur as kur një gjyqtare është kapur me krime.
Kam besuar në drejtësinë e njerëzve, por më shumë në drejtësinë e ligjit. U bëra kokë turku e atyre që nëpërmjet meje donin të arrinin qëllimet e tyre”.
Në fund, gjyqtarja kërkoi që të gjykohej me gjakftohtësi: “Mos lejoni që unë të sakrifikohem për qëllime të tjera, po ashtu mos u ndikoni nën presionin e etheve të klikimeve dhe bota e krimit të ndikojnë tek vendimi juaj”.
Kapedani dha dorëheqjen si nënkryetare e Gjykatës së Elbasanit.
Gjyqtarja është pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve për rastin.