Këshilli i lartë Gjyqësor ka vendosur të pezullojë përkohësisht nga detyra gjyqtaren Enkeleda Kapedani, deri në përfundimin e procedimit disiplinor.
Ishte ILD që kërkoi nga KLGJ pezullimin dhe shkarkimin e gjyqtares Kapedani, pas videove që gjyqtarja publikonte në Tik-Tok, ku shfaqej duke bërë “sfilatë” në zyrën në gjykatë.
Kreu i ILD-së, Artur Metani, tha gjatë seancës së sotme gjyqësore se ekzistojnë kushtet që gjyqtarja të pezullohet.
“Në rastin konkret ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani të masës provizore të pezullimit nga ushtrim i detyrës deri në përfundimin e procedimit disiplinor, për shkak se vazhdimi i magjistratit në detyrë diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit”, tha Metani.
Gjatë seancës në KLGJ, Kapedani dha dorëheqjen si nënkryetare e Gjykatës së Elbasanit, dhe i bëri thirrje këtij institucioni të mos ndikohej nga bota e krimit për marrjen e këtij vendimi.