Gigio Donnarumma do të luajë në Kampionatin Europian duke e ditur se cila do të jetë skuadra e tij e ardhshme. Siç raportohet nga mediat italiane, PSG ka mposhtur konkurrencën e Barcelonës dhe Juventusit në garën për shërbimet e portierit të ekipit kombëtar italian, i cili do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me parizienët me pagë 12 milionë euro në sezon, plus bonset.
Pas shumë muajsh negociata të pasuksesshme, Milani dhe portieri 22-vjeçar vendosën të ndanin rrugët. Përfaqësuesi ligjor i Donnarummas, menaxheri i famshëm Mino Raiola, ka mundur t’i sigurojë një kontratë “faraonike” klientit të tij. Nëse nuk do të ketë surpriza të bujshme, karriera e Gigios do të vazhdojë nën kullën Eiffel së bashku me Neymar dhe Mpabbé. I kërkuar me ngulm nga presidenti Nasser Al-Khelaifi, tani ish-numri 1 i Milanit do të luftojë për vendin e titullarit mes shtyllave me Keylor Navas, i cili kohët e fundit ka rinovuar deri në vitin 2024.
Francezët janë shfaqur të papërmbajtshëm në merkato dhe tashmë mungon vetëm zyrtarizimi i Georginio Wijnaldum si përforcim i mesfushës. Pas tërheqjes së Barcelonës, që nuk mundi t’ia plotësonte kërkesat ekonomike, holandezi mësohet se ka arritur marrëveshjen me parizienët për një kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024. Zyrtarizimi do të bëhet sapo të kalojë me sukses ekzaminimet mjekësore.