Prokuroria e Durrësit dhe drejtoria e Hetimit Ekonomik në Policinë Kriminale kanë vendosur sekuestro preventive për disa prona me vlerë 3 milionë euro që u përkasin vëllezërve Sallaku dhe shokut të tyre Rabi Kurti.
Hetimet për këtë çështje kanë zgjatur 3 vjet dhe hetuesit dolën në konkluzion se pronat janë përfituar nga veprimtaria kriminale në Itali e Gëzim Sallakut.
Ky i fundit pronat i ka regjistruar në emër të vëllait të tij Saimir Sallaku dhe Rabi Kurtit. Policia thotë se Gëzim Sallaku ka kryer veprimtari kriminale dhe është dënuar në shtetin italian nga viti 1999 – 2008.
Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2018, nisur nga disa transferta të dyshimta bankare të 3 personave të sipërpërmendur, ka filluar hetimin për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Njësia e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar thotë se vazhdon puna për identifikimin e pasurive të tjera të këtyre personave dhe lidhjeve të tyre familjare dhe shoqërore.
Pronat mbi të cilat është vendosur sekuestro preventive janë:
– Sekuestro 100% të aksioneve të shoqërisë “GSA Sallaku” sh.p.k, me aktivitet “Import, eksport, tregti autoveturash, kamionësh etj”, me seli në Durrës, me ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Gëzim Sallaku;
– 2 apartamente, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;
– 20.600 m2 sipërfaqe toke arë, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;
– 1000 m2 sipërfaqe toke truall, mbi të cilën janë ndërtuar 2 banesa me sipërfaqe 140 m2 secila, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;
– Një godinë banimi dykatëshe dhe 2 apartamente banimi, në Durrës, në pronësi të shtetasit R. K.;
-13 automjete të markave të ndryshme në pronësi të shoqërisë tregtare “GSA Sallaku”.