Prokurori Anton Martini është shkarkuar nga detyra. Komisioni i Posaçëm i Apelimit në mbledhjen e zhvilluar sot ka vendosur që të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
I komanduar në Prokurorinë e Tiranës, ish-prokurori i Krimeve të Rënda kaloi shkallën e parë të rivlerësimit në janar 2020 me shumicë votash. Por vendimi i konfirmimit u ankimua nga Komisioneri Publik në qershor.
Pas disa përballjeve në seancat e zhvilluara, u vlerësua që pretendimet e Komisionerit Publik të ishin të drejta.
Sipas KPA, Martini nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit që u bë nga ky institucion.
Gjatë hetimeve, Komisioneri Publik vlerësoi se prokurori ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, ka mungesë të burimeve të ligjshme të pasurisë, ndërsa sa i përket aftësive profesionale, ka cenuar besimin e publikut në rolin e organit të prokurorisë.
Prej më shumë se 10 vitesh, Martini ka qenë në mbrojtje policore, për shkak të dosjeve të nxehta që ka pasur në duar, si ajo e bandës së Durrësit, e Cërrikut, apo çështje të tjera si e Lazaratit dhe Arben Frrokut, i dënuar për vrasjen e komisarit të policisë, Dritan Lamaj.