Nga Arben Malaj
Shumë universitete në botë po i fshijnë, apo po i falin borxhet e studentëve të tyre të dy viteve të pandemisë. Fatmirësisht këshilla e vyer e Nënë Terezës: “Mos bëni gjëra të mëdha por bëni çdo ditë gjëra të vogla me zemër të madhe” po konstatohet në disa iniciativa që po e vënë theksin tek vlerat morale, tek solidariteti dhe kohezioni social.
Qindra vite më parë William Wilberforce pastroi politikën angleze nga pesha e rëndë e borxhit moral të skllavërisë. Në 2021 universiteti që mban emrin e tij për të promovuar trashëgiminë e tij humane dhe politike – sapo deklaroi se do ti fshinte borxhet që studentët kishin ndaj universitetit.
(1) Pas kostove të rënda të krizave morale dhe financiare që kanë rritur borxhet, sidomos të studenteve dhe familjeve me të ardhura të pakta;
(2) Pas pandemisë që rrezikon të lërë pas pasoja jo lehtësisht të riparueshme mentale, sociale, ekonomike e financiare;
(3) Pas rritjes së paqartësive dhe pasigurive jo vetëm për shkak të pandemisë;
(4) Pas pabarazisë në nivelet turpëruese edhe për vetë miliarderët ku 8 njerëzit më të pasur në botë kanë pasuri sa 3.5 miliard banorë në botë, vetëm një vizion dhe përkushtim që fokusohet:
(a) tek solidariteti dhe kohezioni social;
(b) që ul borxhet morale dhe financiare:
(c) që ul pasiguritë dhe paqartësitë për të ardhmen;
(d) që vret frikën dhe promovon paqen dhe prosperitetin mund të bëj ndryshimin e domosdoshëm drejt një ambienti shoqëror dhe politik ku vlerat morale dhe kontributet pozitive të çdo individi dhe në çdo ditë duhet të jenë pasqyra e vetme e “sinqertë” ku duhet të shikojnë shëmtimin e tyre moral, të babëziturit, të korruptuarit dhe liderat politik autoritarian dhe neo-diktatorial.
Duhet të humbasin çdo mundësi promovimi dhe përfaqësimi politik, të gjithë ata që për pushtet personal absolut duke shitur mandatet e tyre publike e politike tek oligarkët dhe kriminelët “vota-vjedhës”, direkt ose indirekt, po vetë-kriminalizohen.
(i) duke vrarë shpresën dhe ushqyer frikën;
(ii) duke rritur borxhet skllavëruese;
(iii) duke rritur zhgënjimin dhe
(iv) duke nxitur braktisjen e vendit.