Në një artikull prej 6 faqesh, italiania “L’Espresso” i ka kushtuar një hapësirë të gjerë Shqipërisë, ku sjell për lexuesit e saj disa histori suksesi të dhjetëra italianëve që kanë zgjedhur të studiojnë, punojnë dhe jetojnë në vendin tonë, por ndalet në mënyrë të veçantë edhe te transformimi që po pëson kryeqyteti.
Në artikullin me titullin “Ciao mamma, vado in Albania”, autori i kësaj specialeje për Shqipërinë, i ka kushtuar vëmendje të veçantë Tiranës, ku vë në dukje sfidat me të cilat përballet kryeqyteti i 1 milion banorëve, si dhe zgjidhjet që ka ofruar Bashkia e Tiranës, duke bashkëpunuar në mënyrë të veçantë me disa nga qytetet më të zhvilluara italiane, si Firence apo Verona.
Për të gjitha këto, autori thekson se ka plot arsye, jo vetëm për ta vizituar, por edhe për të jetuar dhe bërë biznes në Shqipëri, dhe në mënyrë të veçantë në Tiranë.
Revista e përshkruan kështu Tiranën: “Është si të tregosh historinë e arkitekturës italiane në Tiranë (ministritë, Pallati i Kulturës, Muzeu Kombëtar, Akademia e Arteve, Banka Kombëtare, plani i Bosio-s në ’39 deri në master-planin e Stefano Boerit për 2030) të endura me dekorin, teksturën tradicionale shqiptare në ngjyrat e flamurit të shqiponjës së zezë në fushën e kuqe: frymëzuar nga vetë kryeministri Edi Rama, edhe ai vetë një artist”.
Në artikullin e Roberto di Caro, jepen disa nga rastet e shumta të italianëve që kanë zgjedhur vendin tonë për të jetuar, ndërsa theksohet se janë me mijëra në Shqipëri.
“Për të thithur investime, në këtë vend ku 60 për qind e eksporteve përfundon në Itali, rol luajnë edhe qarqet e shkurtra të globalizimit, të njëjta për të cilën në Venedik, kioska kineze shesin maska kineze për turistët kinezë të prodhuar në Kinë.
Por në ndryshim nga kjo, në Tiranë, si në bregdetin e Vlorës dhe të Durrësit, kirurgët dhe stomatologët italianë riparojnë dhëmbët, gjinjtë dhe hundët për pacientët italianë në lëvizje, në klinika italiane ose në ndërmarrje të përbashkëta: turizëm mjekësor, çmime atraktive dhe stafi i specializuar, paketat gjithëpërfshirëse me vendpushimin bregdetar fqinj. Shkurt dy zogj me një gur”, thuhet mes të tjerave në artikull.