Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës mori angazhim për t’u dhuruar vendeve më të varfra 1 miliardë vaksina kundër COVID-19. Sipas Kryeministrit britanik Boris Johnson, mikpritës i takimit, gjysma e dozave do të dhurohen nga SHBA-ja dhe pjesa tjetër nga anëtarët e tjerë të grupit. Vetë Britania e Madhe do të kontribuojë me 100 milionë vaksina.
Të dy udhëheqësit u bënë thirrje aleatëve të bashkohen për t’i dhënë fund sa më shpejt pandemisë dhe të forcojnë pozitat strategjike të demokracive më të pasura në botë.
“Shtetet e Bashkuara do të dhurojnë gjysmë miliardë doza vaksinash pa kërkuar gjë pas, pa kërkuar gjë. Dhurata jonë nuk përfshin edhe presion për favore apo koncensione të mundshme. Ne po e bëjmë këtë për të shpëtuar jetë”, tha Biden.
Vaksinat do të prodhohen nga Pfizer dhe do të shpërndahen në kosto në rreth 100 vende. Kreu ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla që ishte në krah të Presidentit Biden, tha se sytë tani janë drejtuar nga udhëheqësit e kombeve të pasura.
Johnson dhe Biden gjithashtu nënshkruan një zotim të enjten për të mbrojtur “vlerat e qëndrueshme” të Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, 80 vjet pas miratimit të Kartës së Atlantikut që u nënshkrua në vitin 1941.
Dokumenti thekson kundërshtimin e “atyre që kërkojnë të minojnë aleancat dhe institucionet” dhe veçon “ndërhyrjen përmes dezinformimit”, një akuzë që i drejtohet Moskës.
Ai citon gjithashtu tregtinë e lirë, të drejtat e njeriut, një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe mbrojtje më të fortë globale kundër kërcënimeve shëndetësore si COVID-19.
Kryeministri britanik shprehu optimizëm për udhëheqjen e Biden dhe pohoi se bisedimet me të ishin si “ajri i freskët”.