Shqipëria do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Bashkuar, pasi u votua për të marrë një nga 5 vendet e përkohshme në këtë këshill, me një mandat dyvjeçar. Shqipëria u mbështet nga 175 vende anëtare nga 190 që morën pjesë në votim.
Në garë për 5 vende ishin 6 shtete, përveç Shqipërisë edhe Brazili, Republika Demokratike e Kongos, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.
Shqipëria u pranua anëtare e OKB në 14 dhjetor 1955 dhe sot, pas 66 vitesh anëtarësi është bërë për herë të parë anëtare në Këshillin e Sigurimit.
Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.
Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione. Veprimet e tij supozohet të parandalojnë dhe zgjidhin konflikte, por në vitet e fundit, kritikët thonë se pikëpamjet kontradiktore, veçanërisht mes pesë anëtarëve të përhershëm, kanë bllokuar marrjen e vendimeve për çështje urgjente.