Histori Një kujtim ndryshe për Heroin e Binokun e tij

Një kujtim ndryshe për Heroin e Binokun e tij

Nga Antoneta Muçi Zeneli

Është 11 apo 12 qershori?… E ç’vlerë do të kishte kjo për një jetë dedikuar luftës për liri, një rrugë që niseshe e kthimi nuk dihej. Mund të kishte rënë në ditë e vende të tjera; mund të kishte ndodhur në Janinë, Gribë, Labovë, Beun, Kotë… Por jo, misioni i tij nuk kishte mbaruar. Hiri dhe lavdia e tij ishte paracaktuar aty në “kodrat përmbi spital”, në kodrat e ndezura flakë e vetëtimë, gjëmim topash e mortajash, zjarr e pluhur baroti mbi shqiptarët me nga një pushkë e shpesh dhe dy luftëtarë me një, por me zemrën prush e zjarr lirie. U dogj a fluturoi drejt hapësirave pa kufij lirie, liri që e deshi aq shumë ai dhe luftëtarët trima Dule Dalani, Memë Sherifi, Ibrush Muçaj, Shefqet Shehu, Mane Tahiri, Teme Gogaj, Hyso Demiri. Aty mbiu e mbeti përjetësisht jehona epike si oshëtimë deti: “O djemë, mbi tela!”. Legjenda e rënies qëndron midis dy ditëve, pasmesnata e 11 qershorit ja la amanet agimit të 12 qershorit – luftëtarin. Agimi i atij mengjesi nuk e mbrojti dot. Mbase rruga e gjatë e kishte lodhur. U muros për lirinë. Momentet e jetës së luftëtarit kanë një aur mitologjie. Unë kështu e kam parë, ndoshta jam edhe subjektive…

Momenti i fundit i regjistruar në sytë e kujtesën e luftëtarëve është çasti kur i drejtohet gjeneralit që me pistoletë në dorë, mes britmave e ulërimave, nxiste ushtarët, të hidheshin në sulm. E qëlloi, por edhe gjenerali Italian ju përgjigj flakë për flakë. E më pas ushtarë të shumtë e oficerë nga drejtime të ndryshme e mbuluan me plumba, u rrëzua për tokë, por shpejt u ngrit. Bomba të shumta plasën rreth tij, dhjetra pushkë e mitralozë qëllonin mbi të. “Koloneli me zabinë/ Në dorë dot nuk të zijnë/ Të hodhnë flakë e benzinë/ Trupin seç ta zhurinë…”. Kodra u ndez flakë dhe ky është çasti që humbi nga sytë e luftëtarëve. Kështu u shkri e s’u gjet asnjë shenjë e tij. “I shkreti Selam Musa/ U fut në flakë e s’u pa…”

Selam Musai kishte lindur në luftë, ishte rritur e plakur në luftë. Dëshmitarë të asaj kohe, një luftëtrë nga Çeta e Nivicës tregon: “Ishim mbledhur në Teqenë e Turanit. Babai i Teqesë, Baba Ahmet Turani, patrioti dhe luftëtari i Vlorës, i pyeti të gjithë pjesmarrësit për dëshirat e tyre. Ata ju përgjigjën; dikush donte pasuri, dikush ara, dikush fëmijë… Kur erdhi radhë e Selamit, ai u përgjigj: “Dëshira ime është Shqipëria e lirë. Po nuk patëm Shqipëri të lirë, atëherë jeta ime të ketë gjithmonë luftë”. Ai kishte një shprehje që e përsëriste vazhdimisht: “Në luftë kundër armikut më daltë shpirti”. E profecia e tij u realizua; aty kundër tyre dha shpirt e trup. Kujtesa për të është sa shpirtërore e morale, po aq edhe një borxh pamjaftueshëm i shlyer në çdo kohë për sakrificën vetëmohuese në emër të lirisë.

…Mbase do ta kisha kujtuar me një tufë lule tek shtatorja, me një portet a bust postuar në rrjetet sociale, me një poezi, këngë, fjalë a vlerësim, por desha ta kujtoj me mendim e parë që më erdhi në çast, me një personazh jo hero me titull, sepse nuk është qënie njerëzore – “Binoku”.

“Binoku” – kali besnik, miku, bashkudhëtari e bashkëluftëtari i sa e sa betejave, duke shkelur në gjurmët e njeri tjetrit, duke ndjerë fishkëllimën e plumbave, erën e barotit, gjëmimin e topave të dy, si të ishin binjak të pandarë. E kështu të pandarë ju gëzoheshin fitoreve, me vrapin e trokun e tij vetëtimë, deri atë prag mëngjesi, kur nuk e dëgjoi më zërin, atë zë baritoni të trimit, e trimi s’ndjeu më hingëllimën e kalit të hazdisur. Ai rendi si i marrë me plagë në shpirt e në trup, kodrave të Qafës së Koçiut. Për 4 ditë nuk nuk u gjend, derisa miku i ngushtë e luftëtari trim, Islam Malua, e sjell në shtëpi, në shtëpinë që ishte biri i saj. Nëse në katin e poshtëm të shtëpisë, një pjesë ishte qilari i verës e bulmetit, pjesa tjetër ishte “bodrumi i kalit”. Ky emërtim mbeti edhe pasi kali nuk ishte më. Kështu e kujtojnë nipi e mbesa e Heroit, Xhevat Muçi dhe Bexhe Hadëri Muçi.

Ishte një kalë i bukur me shtat të lart si kalë garash, me ngjyrë të kuqe. Vetëm bishtin dhe jelet i kishte pis të zeza. Shalën e kishte prej meshini ngjyrë kafe. Në të mbërtheheshin hejbetë, po prej mishini ngjyrë kafe, në të cilat Heroi mbate fishekët rezervë për maliherin e revolverin, dylbitë, veglat e rojes, peshqir, sapun, ndërresat, një pagure treokare me ndërtim të veçant, e blerë në Stamboll. Ka qënë e ekspozuar në Muzeun e Salarisë deri në momentin e bastistjes në fillim të viteve ’90.

Në disa prej këngëve këndohet për të dy – Heroin dhe kalin e tij (Binokun): -“Selam Musai kur vije/ Kali I kuq e guna çile…”. Në paranteza po ju rrëfej një episode të shkurtër që tregon, se sa unike ishte lidhja, kujdesi e përkushtimi i Heroit për Binokun, e tillë si ajo e atit për birin e vetëm, që s’e pati, fati ja rrëmbente pa arritur të bëheshin krahu i tij.

Në betejën e Kotës, një nga betejat më të ashpëra, ku u evidentua qartë trimëria dhe taktika e mençur e çetave të Tepelenës, që drejtoheshin nga Selam Musai, italianët pësuan humbje të mëdha. “Nuk harrohet Kota kurrë/ Kur mbi tela shkonim ne/ Edhe kur Selam Musai/ Shkrepte natën si rrufe…”. Kotën e morën, kur pushuan krismat e fundit, aty në Kotë në një shesh të gjerë, rreshtuan robrit italianë. Selam Musai kalonte midis tyre dhe po i shihte ata ushtarakë të rënë moralisht, me uniforma të ndotura në baltë e të grisura. Dëgjon që midis tyre, njeri fliste shqip, një shqipe jo shumë të kuptueshme. “Nga të jetë ky murtajë”, -i tha Memë Sherifit. “As që e marrë vesh”, -iu përgjigj Mema. Selami e pa një copë herë me inat, por edhe ushtari nuk i hiqte sytë nga ky burrë i moshuar me fytyrë të rreptë, dhe qëndronte “gati tu”. “More maskara, me armikun e vatanit zënkë bërë?”. Dhe urdhëroi Memën ta ekzekutonte. Por papritur u sqarua që ishte kalabrezë. Pas këtij konstatimi, Selam Musai e hoqi mënjanë, nuk e la të shkonte në vendin e përqendrimit. Që atë ditë i siguroi një palë rroba si fshatarë dhe i tha: “Ti melunë do të rrish me mua”. Dhe i caktoi të kujdesej e të mbante kalin, edhe pse kali e kishte një kujdestar, ishte luftëtari i Çetës së Salarisë Arshi Elmaz Skënder (në rast se s’gaboj me emrin), të cilin donte ta mbronte, të mos përfshihej në betejë, për të mos rrezikuar jetën.

Nuk pranonte askënd që ta kalëronte, përveç të zotit. “Nëse ndodhte të provonte dikush, ai bëhej ezhdërha”, -tregonte gjyshja ime. Ja prenë bishtin në shënje zie. Ai nuk bëri zë, sepse më shumë se kujtdo atij i shkonte zia. U kujdesën për ditë me radhë. E bija e Heroit Këze Selamja, i pastronte dhe i mjekonte plagën e marrë në bark, amanetit të babait, si e vetmja gjë e mbetur prej tij. Por ai priste të zotin të ngrihej si Feniks nga hiri. Plaga ju mbyll. Atëherë iu hoq shala përgjithmonë dhe u lëshua në kopenë e pelave. Treqindë të tillë kishte Selam Musai, por plaga e shpirtit mbeti e pashëruar, Jetoi 3-4 muaj dhe ndërroi jetë në tetor të po atij viti. U varros atje në mal, nga nisnin rrugën e betejave të dy me Heroin, ndoshta për të udhëtuar në rrugë të tjera qiellore të përjetësisë.

Eh, Binok, sikur Zoti të kishte bërë mrekullinë e mosvdekjes, e të të jepte gojë të flisje ti për historinë e Trimit, e jo injorantët funksional të ditëve të sotme, sepse jo vetëm që nuk dinë, por janë aq të vegjël, po aq të vegjël, mor Binok, sa nuk vlejnë as sa një qime e bishtit tënd. Se këta nuk i ha meraku për të ndriçuar historinë e Heroit tënd, merak kanë llogaritë, se çfarë mund të përfitojnë prej tij, si jo rrallë herë. Edhe këtë herë, mesa duket, e kanë marrë atë që deshën, sipas konceptit që është bërë trendy i kohës: “Ti Halim, që s’di këndim…”, të këndoj historinë tuaj Binok. Madje, nëse nuk gaboj, të mbaj dhe çelsat e Shtëpisë Muze, natyrisht me shpërblim nga taksat tona, që për shtëpinë tuaj nuk ka fonde. Dhe ka të drejtë ky mor Binok, t’i drejtohet me tone të ngritura mbesës së Heroit tënd, Bexhe Hadëri Muçi, që kërkon një sqarim për paisjen jo të denjë të Shtëpisë Muze, gjë që ajo e njehë shumë mirë standardin e asaj shtëpie, sepse ka qënë pranë gjyshes së saj deri 10 vjeçe, e ky përsëri t’i përgjigjet me zhargonin e matrapazëve të rrugës: “mos fol, por hidhu (hidh lekë)!”. Eh, çfarë fyerje e poshtërimi! Kush u hodh që sot je ti fatlumë, që flet për hero, histori, këndon, ngre dolli e flamuj, del në ekrane?. Po të mos ishin ato bijat e tij do të haje qepë e hudhra mbi themelet e varret e asaj shtëpie. U “hodhën” ato, që e pasuruan atë Muze ( jo me poste), e ju më vonë e kthyet në gërmadhë e rrëmbyet gjithëçka. Unë e di kush e bëri e me vetëdije s’kam dashur të flas. Të tjerë, në vendin tonë, nuk do të ishin kaq tolerantë. Unë ndjejë vetëm neveri kur shoh patetizmin e tyre të shtirur, e më shumë kur na thuhet: “Hidhuni!”. Janë pjesë e familjeve të bijave të tij ata që shkruan historinë e Heroit, ata që bënë portretet e bustet e asaj kohe, është nga radhët e miqve të tyre ai që shkroi baladën e pavdekshme “Para bustit të Selam Musait”. Nuk po e zgjas më, se më nxorre nga tema, por kjo është t’i tregosh babit – arat. Kontribuesit e vërtetë nuk flasin. S’i kam dëgjuar as s’i kam parë. Pse? Sepse e kanë ndjerë vlerësimin e obligimin për veprën e Heroit. Këta të fundit bëjnë pjesë tek ajo kategori që arritjet i kanë me meritë, pa patur nevojë për ombrellën e askujt, qoftë ky dhe hero. Jetojmë kohë të çuditshme, Binok, kohë tribush, ku qënia njerëzore i ka dalë prej duarshë edhe vetë Zotit. Kjo ndodh, edhe nga që institucionet janë qesharake e u japin akses disa spurdhjakëve delirant, sepse ata që kishin diturinë e që dinin si ta nderonin Heroin s’janë më. Me këto rreshtat e fundit nuk doja ta prishja shijen e kësaj eseje. E bëra e detyruar dhe e kam kursyer debatin me këtë të pagjak, se më lidhin njerëz që i dua dhe i respektoj. Por s’ke ç’bën, kur ndonjëherë të nxjerrin nga vetja. S’kam ç’të them më shumë, por i drejtohem shpirtit tënd Binok: -Zbrit nga mali dhe vendosu kufirin tek thana atyre që trazojnë me ligësi historinë dhe s’respektojnë gjakun fisnor!…

E pas këtij trazimi që ndava me ty, Binok, po ju popozoj dashamirëve të mi baladën “Binoku” të bashkëshortit tim Feti Zeneli, pa miratimn e tij, pasi ai mendon se duhet ta rishikoj. Mua më emocionon edhe kështu, ndoshta pse nxitjen për këtë baladë e ka marrë nga një shkrim imi duke kujtuar gjyshe. Dhe më duhet t’i them edhe “faleminderit”, gjë që s’e kisha bërë deri në këtë moment. Lexojeni dhe kalëroni për disa çaste me këtë kalë mitik në udhët e historisë…

BINOKU (1)

(Kali i Selam Musait)

Nga Feti ZENELI

Horizontesh rrënjëdalë,
Kalbej ajri, shiu i zi,
S’qe kohë shpatash, por një kalë
Deshi pushka për liri.

Dhjet’ vjetë bekim-mallkimi,
Heroin mbajti mbi shpinë,
Zemër mbi zemër kali-trimi,
Gjak-shpirt i ëndërrt për lirinë.

Sa shpartallohej një ushtri,
Barbarët shfaqeshin sërish,
Kufijtë tanë jug e veri
I kishin pragje shtëpish.

I rridhte gjaku fjalës “fqinjë”,
Sikur të çirrej nëpër ferra,
E therte gjuha brinjë më brinjë,
Ndërsa shqiptohej “nulla terra”2).

Kohë copëtimesh, zjarr e hekur,
Troje dhe jetë fattrazuar,
Me kushtrimin: “gjallë a vdekur”,
Kalërim besimlëshuar.

Me vdekjen përqafohej jeta,
Për kufirin e atdheut,
Binoku printe në çeta,
Si dje, në kohë të Skënderbeut.

Pas agut syrit me galop,
Bën krah në Qafë të Koçiut,
Atje ku pa si derdh një top,
Metal në gjoksin e njeriut.

Me patkonjë i fikte flakët,
Ndezur me dyfekë e topa,
I dhëmbnin gunat dhe shajakët,
E bërë plumbash copa-copa.

Si kuje labe shtroi mbi bar,
Një hingëllimë hergjele,
Pastaj u ngrit kas për të parë,
A i kishte patkonjtë ndënë fre.

Në vragë vetmie zë e rend,
Si një legjendë vetëflijimi,
Mister i humbjes po e çmend,
Si lëmshe gjaku pikëllimi.

Gjoksin ne plagë, sytë me lotë,
Katër netë e katër ditë,
Nuk la pëllëmbë toke në Kotë,
Pa gërryer si një heremit.

Mbetur i shkretë ku s’kërkoi,
Shpirtplagë si të qe njeri,
Sa dhimbje ndjeu dhe patkoi,
Në gjurm’ enigmash shkrumb e hi.

Besë baladash i kish dhënë,
Selamit, si një Kastriot,
Në gjunjë kurrë s’kishte rënë,
Në Janinë, Labovë, Kotë…

Vallë a do ta shpinte dot,
Gjëmën e rëndë në Salari!
Vij kal i rritur me barot,
Me plagë plumbi nëpër gji.

E ndiqnin pas gjurmët e lëna,
Plot me gëzhoja, plot me gjak,
Ç’ndizte dielli, e zbehte hëna,
Goja dhe sytë i shfrynin flakë.

Tehe shikimesh vetëtimë,
Në udhët që shkëmbenin vdekje,
Mes fjalësh dhe një hingëllimë,
Lotonte syrit sa e prekje.

Si një meit qaset ngadalë,
Zemërzhuritur, në vetmi,
Kokëulur rri i shkreti kalë,
Si njerëzit qan dhe mban zi.

Porsi një bir me çepe prerë,
Shkurtoi bishtin si gërshet,
Plot një behar zi dhe vrerë,
Por s’u ringjall si Krishti vetë.

E “preu gojën”, s’hëngri e s’piu,
Në zi të thellë u tret, u mpak,
Mall’ i të zot, si mall njeriu,
Iu kthye vrer, iu derdh në gjak.

Shpirt më shpirt e gojë më gojë,
Rënkonte dhimbja thellë në gji,
Veç njerëzve qau e vajtoi
Një kal i kuq në Salari.

Gjersa në vjeshtë si shtegëtar,
Shkoi pa kthim siç shkoi i zoti,
Në Salari më nuk është parë,
Vetëm kujtohet mot pas moti…

***

1) Binok quhej kali i Selam Musait, që e shoqëroi në shumë luftime deri në Qafën e Koçiut, ku ra heroikisht në 12 qershor 1920. Katër ditë pas vrasjes se Selam Musait kali kthehet i vetëm në Salari, me një plagë plumbi në gjoks. Në shenjë zie i presin bishtin. Në tetor të atij viti, pra 4 muaj pasi u kthye ngordhi… dhe vajza e

heroit e varrosi si të ishte njeri i familjes.

 

2) “nulla terra”= toka e askujt. Kështu e konsideronte Shqipërinë

“Aleanca Ballkanike”e vitit 1912.