Një rast i padëgjuar më parë në Shqipëri, ku droni përdoret për të kryer shpërthim të telekomanduar të tritolit, është regjistruar tri ditë më parë në Durrës.
Shënjestër e kësaj metode të re, të sulmit me dron-tritol, ka qenë biznesi i ish-ministrit të Mjedisit dhe deputetit të zgjedhur të Partisë Socialiste, Lefter Koka.
Hetuesit që po punojnë për dokumentimin e kësaj ngjarjeje thanë për gazetën “Panorama” se janë surprizuar kur po mblidhnin provat në vendin e ngjarjes, teksa u përballën me një metodë krejt të re nga çka ishin mësuar, atë të një droni që transportonte lëndë plasëse.
Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Durrësit vuri në pranga autorin e dyshuar, shtetasin Gentian Meta, i cili është pronar i një lokali në zonën e Kepit të Rodonit.
Ndaj 44-vjeçarit nga Shijaku, Gjykata e Durrësit këtë të premte vendosi masën e sigurisë të “Arrestit me burg”.
MOTIVI
Për të hetuar këtë ngjarje, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili thuajse e ka dokumentuar me prova dhe fakte, jo vetëm dinamikën, por ka mësuar edhe motivin e sulmit.
Sipas hetuesve, shkak i kësaj ngjarje dyshohet se është konflikti tregtar për markën e verës.
Në njoftimin zyrtar, Policia thotë se Gentian Meta, 44 vjeç, ka vendosur tritol në biznesin ku administrator është Jurgen Dashi.
Kjo kompani është krijuar në vitin 1995, ndërsa ish-ministri Koka, gëzon 88.19 % të aksioneve në këtë shoqëri.
Gjatë hetimeve për këtë ngjarje, policia arrestoi menaxherin e lokalit të Gentian Metës dhe vëllanë e tij, por që nga hetimet rezultuan se ata nuk kanë pasur lidhje me sulmin ndaj biznesit të deputetit socialist./Panorama