Sport Uellsi dhe Zvicra ndajnë nga një pikë. Italia e vetme në krye

Uellsi dhe Zvicra ndajnë nga një pikë. Italia e vetme në krye

Uellsi dhe Zvicra morën secila nga një pikë në ndeshjen e tyre debutuese në Euro 2020, pas një loje të fortë, por të ekuilibruar. Zvicra shfaqte epërsi të lehtë në momente të veçanta dhe pati disa raste më të mira për të shërnuar, por duhet të kënaqej me barazim.

Ekipi i Xhakës dhe Shaqirit kaloi i pari në avantazh, 4 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, kur Xherdan Shaqiri dha një krosim perfekt për Embolo, i cili me kokë e dërgoi topin në rrjetë. Që prej Botërorit të vitit 2014, Shaqiri ka qenë i përfshirë (duke shënuar ose duke dhënë asist) në gjysmat e golave të shënuar nga Zvicra. Lojtari i Liverpool ka realizuar 5 nga 16 golat e kombëtares së tij në Botërorë e Europianë, ndërsa ka dhënë 3 asist.

Në të 74’ ishte Kieffer Moore që i dha barazimin Uellsit, pasi goditi në mënyrë spektakolare me kokë.

3 minuta nga fundi Zvicra shënoi edhe golin e dytë me të sapo futurin Mario Gavranovic, por pas verifikimit në VAR, arbitri e anuloi golin duke lënë secilën skuadër me nga 1 pikë. Nga ky rezultat përfiton Italia që e shikon veten në krye të renditjes.

Në mbyllje të ndeshjeve të para të grupit A, Italia kryeson me 3 pikë, më pas vijnë Zvicra dhe Uellsi me nga 1, ndërsa Turqia mbyll renditjen me 0 pikë.