Në zgjedhjet që po zhvillohen këtë të diel për kryetarin e ardhshëm të PD-së, ka votuar edhe lideri i saj historik Sali Berisha. Në fund, ish-kreu i PD-së është pyetur nga gazetarët rreth deklaratës që bëri disa ditë më parë ku nuk përjashtoi rikthimin e tij në drejtimin e selisë blu. “Jam konsistent në deklarata”, tha Berisha.
Po ashtu, ai nuk zbuloi se cilën nga kandidatët ka votuar duke iu përgjigjur gazetarëve: “Ti jo që do të nxjerrësh sekretet, por sekretet e sekreteve”. Ndër të tjera, Berisha u bëri thirrje anëtarëve të PD-së që të marrin pjesë në votime dhe tha se PD-ja në fund të procesit del më e bashkuar.
Sali Berisha: Të marrin pjesë sa më shumë në këtë proces votimi. Mesazhi sot është pjesëmarrja në votim. Po zhvillohet një proces që duhet ta vazhdojmë.
Gazetari: Në gjykimin tuaj, kjo garë e nxjerr më të bashkuar apo ka rrezik përçarje të kësaj force politike?
Sali Berisha: Besoj se pasi kam shprehur qëndrimin tim, besoj se kjo nuk do të nxjerrë më të ndarë, por më të bashkuar. Kandidatë kanë shprehur pikëpamjet e tyre. Kandidatët janë zotuar që do të vazhdojnë pavarësisht nga rezultati përpjekjet e tyre për PD-në dhe vendin.
Gazetari: A kishte dilema zoti Sali Berisha tek fleta e votimit?
Sali Berisha: Ti jo që do të nxjerrësh sekretet, por sekretet e sekreteve.
Gazetari: I qëndroni deklaratës suaj se nuk e përjashtoni një rikthim në krye të PD-së?
Sali Berisha: Unë jam konsistent në deklaratat e mia.