Sport Flet mjeku që i shpëtoi jetën: Eriksen është mirë, por ishte praktikisht...

Flet mjeku që i shpëtoi jetën: Eriksen është mirë, por ishte praktikisht i vdekur

Morten Boesen, mjeku i kombëtares së Danimarkës, është ai që i shpëtoi jetën Christian Eriksen një ditë më parë kur mesfushori pësoi një arrest kardiak dhe humbi ndjenjat në fushën e lojës.

Një ditë pas ngjarjes, mjeku ka folur në një konferencë për gjendjen e futbollistit dhe momentet e tmerrit në fushën e lojës.

“Eriksen është mirë dhe të gjitha kontrollet e kryera deri tani duken mirë. Por ende nuk ka një shpjegim për atë që ndodhi dhe kjo është një nga arsyet që ai është ende në spital. Ai ishte praktikisht i vdekur. Pësoi arrest kardiak dhe gjithçka më pas ndodhi shumë shpejt. Unë nuk jam një kardiolog dhe nuk mund të hyjë në detaje, duhet të flasim ekspertët e kësaj fushe”, tha mjeku.

Më tej, ai tregoi se lojtarët e kombëtares zhvilluan një bisedë të shkurtër me Eriksen me video, ndërsa më pas një psikolog u erdhi në ndihmë atyre në hotelin ku është vendosur kombëtarja.

Trajneri: Ndoshta nuk duhet ta kishim vazhduar ndeshjen me Finlandën

Kasper Hjulmand, trajneri i Danimarkës, në një konferencë për shtyp ditën e sotme, u shpreh se ndoshta skuadra e drejtuar nga ai nuk duhet ta kishte luajtur dje pjesën e mbetur të takimit me Finlandën pas ngjarjes me Eriksen, i cili humbi ndjenjat në fushën e lojës.

“Christian ishte i shqetësuar për ne dhe familjen e tij. Ai tha se nuk mbante mend shumë, por ishte i shqetësuar për ne. Është tipike për të, kjo tregon se çfarë lojtari i madhe dhe çfarë personi i shkëlqyer është. Ai dëshironte që ne të luanim. Ai është një futbollist dhe ndihet mirë kur luan futboll”, u shpreh trajneri.

Teksa foli për polemikat e krijuara për vazhdimin e ndeshjes, trajneri u shpreh: “Unë mendoj se ishte e gabuar të linim lojtarët të zgjidhnin mes dy mundësive. Ata ishin në stres dhe nuk dinin gjendjen shëndetësore të shokut të tyre. Kam një ndjesi që nuk duhet të kishim luajtur, mbase duhet të hipnim në autobus dhe të shkonim në shtëpi. Por kjo është ajo që unë e mendoj tani, ishte një vendim i vështirë. Mendoj se ishte e gabuar të linim lojtarët të zgjidhnin. Unë jam krenar për ata. Dje pamë se çfarë është futbolli, fryma e ekipit, ishte një shenjë e shkëlqyer”.