Gjykata e Vlorës ka vendosur sekuestro preventive ndaj një numri të konsiderueshëm pasurish të paluajtshme të Raul Zenunajt, i dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike.
Zenunaj rezulton se është duke vuajtur dënimin në një burg të Italisë, ku është ndaluar në 13 shkurt 2019. Në 4 gusht të vitit 2020, ai ishte bërë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.
Zenunaj është arrestuar si pjesë e një grupi me 36 persona të tjerë, të cilët janë dënuar për trafikimin e 8 tonë e gjysmë kanabis, 10 kilogramë kokainë e heroinë, si dhe armë e municione drejt Italisë.
Në total, kundër këtij grupi të organizuar, ku bënte pjesë edhe Zenunaj, janë zhvilluar 26 operacione, disa prej të cilëve në Shqipëri, e disa të tjerë në Itali.
Disa prej operacioneve të zhvilluara kundër grupit ku ishte pjesë Zenunaj
* Në datën 10.02.2017, në vendin e quajtur Godull Adriatik, është gjetur dhe sekuestruar mjeti lundrues gomone dhe në një distancë prej 1600 metra larg saj, është gjetur sasia prej 1,6 tonë lëndë narkotike e llojit canabis sattiva.
* Më datën 26.02.2017, në Cavallino Brindisi, është sekuestruar sasia prej 996 kg marijuanë, e cila vinte nga Shqipëria. Nga ana italiane është bërë arrestimi i disa personave në Itali, ndërsa në Shqipëri janë identifikuar shtetasi shqiptar Eduard Sallaku dhe shtetasi italian Donato Carlucci, si autorë të kryerjes së veprës penale.
* Në datën 05.04.2017, në vendin e quajtur Gjiri i Lalzit, është sekuestruar mjeti lundrues motoskaf, i dyshuar se do të kryente transportimin e një sasie tjetër të lëndës narkotike nga brigjet shqiptare për në Itali. Në këtë datë janë arrestuar shtetasit italianë Gianfranco Mairano dhe Donato Carlucci, skafistët që kishin për qëllim transportin e lëndës narkotike, të siguruar nga shtetasi Eduart Sallaku.
* Në datën 02.06.2017, është sekuestruar mjeti lundrues gomone, rreth një kilometër në brendësi të grykëderdhjes së lumit Vjosë. Në brendësi të saj, është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 685 kg e 100 gramë canabis sattiva. Për këtë episod, është arrestuar shtetasi Dino Abazi.
Në Shqipëri janë arrestuar Denis Pashaj 33 vjeç, Kristjan Llanaj alias Nuredinaj 36 vjeç, Luka alias Kriols Beqiraj 32 vjeç, Arbnor Xhimaj alias Hoxhaj 34 vjeç, Bilal Kabello 34 vjeç, Kujtim Elmazi 58 vjeç.
Në Itali janë arrestuar Dorian Alikaj 34 vjeç, Altin Avduramani 46 vjeç, Ajet Çepaj 50 vjeç, Klaudio Fani 34 vjeç, Artur Malo 35 vjeç, Raul Zenunaj 40 vjeç, Giancarlo Desimone, Gianfranco Conestabile, Salvadore Santoro, Francesco Tarantini, Giuseppe Vanatagiato.