Prishet armëpushimi në Rripin e Gazës. Një aeroplan izraelit sulmoi një kamp trajnimi palestinez në Gaza në orët e para të së mërkurës. Ky është sulmi i parë izraelit pas armëpushimit që i dha fund një konflikti të armatosur ndërkufitar njëmbëdhjetë ditësh muajin e kaluar.
Ushtria izraelite konfirmoi se avionët e saj sulmuan objektet ushtarake të Hamasit në Rripin e Gazës në përgjigje të nisjes së balonave të zjarrit, të cilat, sipas zjarrfikësve izraelitë, shkaktuan rreth njëzet zjarre në Izraelin jugor, shkruan BBC.
Përveç kësaj, ushtria izraelite tha se ishte e gatshme për të gjithë skenarët, përfshirë rifillimin e luftimeve, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë nga Gaza.
Hamasi, i cili sundon Gazën, më parë ka kërcënuar të marrë masa në përgjigje të një marshimi përmes Jeruzalemit Lindor në të cilin më shumë se një mijë izraelitë morën pjesë me ftesë të së djathtës ekstreme.
Nga incidentet e fundit nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Kryeministri i ri izraelit Naftali Bennett ka thënë më parë se autoritetet izraelite nuk duhet të tolerojnë balona të ndezshme dhe se ata duhet t’u përgjigjen atyre si raketa.